Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës.
Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh, raporton REL, transmeton KosovaPress.
Autoritetet në Kosovë e cilësojnë sulmin si terrorist.
Aktakuza ende nuk është bërë publike dhe nuk dihet se kush janë personat e tjerë që janë akuzuar.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai besohet se gjendet në Serbi.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, gjatë një konference në Prishtinë nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulm - gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar.