Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) konsiderohet të jetë ndër institucionet më të rëndësishme në vendin tonë, pasi ka përgjegjësi të mbrojë sigurinë kombëtare dhe interesat e Kosovës. AKI luan një rol të rëndësishëm në monitorimin e kërcënimeve potenciale dhe në ndërhyrjen në situata që mund të ndikojnë në sigurinë e vendit.
Ndjeshmëria për kryerjen e detyrave në AKI, bënë që përgjegjësitë të jenë mbi supet e zyrtarëve, të cilët duhet të mbajnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit për të siguruar që puna e tyre të jetë e efektshme dhe në përputhje me ligjin.Në fillim të këtij muaji, kjo agjenci ka shpallur konkurs për disa vende pune, ku janë të specifikuara kualifikimet dhe përgjegjësitë.
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami në një prononcim për KosovaPress thotë se një kandidat i cili konkurron për oficer të inteligjencës, përveç aftësive profesionale të kërkuara për drejtimin përkatës, me rëndësi është edhe integriteti i tij personal dhe familjar.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi për KosovaPress e vlerëson si shumë të rëndësishëm faktin që mos të ketë ndikime politike në përzgjedhjen e kandidatëve për pozita në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, për çka potencon se në të kaluarën ka pasur të tilla.
Përveç kësaj, verifikimi strikt i së kaluarës të kandidatëve që konkurrojnë për punë në AKI, është fakt tjetër relevant që Ibishi përmend.
https://kosovapress.com/shpallet-konkurs-per-punonjes-te-aki-se