Haziri flet për përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi

Haziri flet për përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi

Në vigjilje të 12-vjetorit shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”, ku prezentë ka qenë edhe rektori Bajram Kosumi, kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati dhe autoritetet tjera.

Me këtë rast Haziri ka folur për tri dekadat e mëdha, të cilat sollën përpjekjet shekullore të shqiptarëve për të qenë ta pavarur, të lirë dhe të barabartë.

Ai tha se tri dekadat e mëdha e kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, që është zgjidhja më e mirë dhe e vetme, duke shtuar se këtë përpjekje gjenerata të tëra e kanë paguar shtrenjtë.

“Dekada e parë 1980-1990 është dekada e zgjimit për të qenë të barabartë. Kjo gjeneratë e kryengritësve të rinj, pra e studentëve, e zgjoi popullin për ta vazhduar rrugën e saj për liri. Në dekadën e dytë, përpjekja për liri nis me pajtim dhe kjo nuk e ka kuptimin vetëm të faljes së gjakut, por edhe faljes politike, pasi të prirë nga Ibrahim Rugova, të gjithë u bënë bashkë për ta ndërtuar dekadën e dytë 89-99. Një unifikim të tillë që nuk e ka njohur historia deri në këtë rast, e cila kulmoi me kryengritjen e viteve 98-99, që e pasoi gjeneratën që e nisi kryengritjen në vitet 80-ta”.


“Dekada e tretë është ajo se si do të dukej Kosova, me një proces të ngadalshëm, me një mision ndërkombëtar për garantimin e paqes, negociatave të stërzgjatura për statusin final, për të kulmuar me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Angazhimin tonë politik deri në këtë finale e kemi bërë me unitet të plotë, pozitë-opozitë. Është fat i madh që erdhi propozimi i presidentit Ahtisaari, që pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë, gjatë adresimit para të pranishmëve, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka thënë se Lutfi Haziri ka qenë njëri nga protagonistëve më të mëdhenj të shtet-ndërtimit, derisa ka folur për përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri.

“Sot ne po e përjetojmë lirinë për të12-tën herë me radhë. Duke e bërë lirinë bashkë dhe duke e përjetuar në mënyrë personale, sot na bashkojnë në këtë sallë dy gjëra, kujtimi i së kaluarës dhe besimi e shqetësimi për të ardhmen. Ne kemi qenë një popull i paragjykuar që të zhbëhet, por etërit tanë themelues, që nga Hasan Prishtina e deri tek Adem Jashari, nuk fjetën e nuk menduan për kënaqësinë e kësaj jete, ata e projektuan lirinë tonë rreth 100 vjet, prandaj, sot ju themi etërve tanë faleminderit”, tha Kosumi.

Para të pranishmëve, ka folur edhe kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, i cili ka thënë se ata që kontribuuan për këtë ditë, do të kujtohen gjithmonë me respekt maksimal.

 

Lexo edhe

Loading...
error: