Haziri ankohet për prezencë të madhe të ministrave dhe zëvendësministrave sot në Gjilan

Kandidati i LDK-së për Gjilanin, Lutfi Haziri ka deklaruar se gjatë ditës ka pasur prezencë të madhe të ministrave dhe zëvendësministrave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Ai e ka konsideruar këtë si ndikim në votën e qytetarëve që po dalin për të votuar.

Dy orë para se të mbyllen qendrat e votimit, Haziri në konferencë për media ka njoftuar se deri në orën 16:00 kanë votuar mbi 31 për qind e gjilanasve.

“Deri në orën 16:00, në shkallë përqindje ka arritur në 31,7 për qind apo 0.3 për qind më shumë se herën e kaluar. Në numër i bie se 32 mijë e 800 qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Apeli im është që të shfrytëzoni këto tri orët e mbetura që të dilni dhe votoni sepse ju vendosni për katër vjetët e ardhshëm. Dalja juaj është zotim dhe përkushtim”, ka thënë Haziri.


Përkundër qe gjatë ditës nga shtabi zgjedhor i LDK-së kanë deklaruar se janë të parët, Haziri nuk ka treguar për të dhënat që kanë nga terreni.

“Ne nuk mund të paragjykojmë ne edhe më tutje po punojmë me qytetarët, ata e kanë këtë të drejtë kushtetuese për ta ushtruar detyrën e vet. Gjithçka tjetër zbardhet në kuti dhe nuk mund të kemi asnjë të dhënë te tjetër, sepse vota është e mbyllur dhe është e fshehtë dhe vetëm pas orës 20:00 kur të hapen nga komisionarët fillon numërimi i tyre”, ka thënë Haziri.

Sa i përket exit-polleve, Haziri theksoi se vetëm zbardhja e votës pas leximit të atyre në kuti, tregon rezultatin e zgjedhjeve.

“Përveç problemeve teknike dhe prezencës së madhe të ministrave dhe zëvendësministrave në Gjilan që janë sjellë sot ne prezencë, e që për neve është ndikim i drejtpërdrejtë te qytetarët, gjithçka tjetër ka qenë e mirë dhe e qetë”, ka thënë Haziri.

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me Alban Hysenin nga Lëvizja Vetëvendosje po synojnë udhëheqjen e Gjilanit për katër vjetët e ardhshëm.

Lexo edhe

Video