Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli ka thënë se Serbia që nga mesnata po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë.
Sipas tij, ky veprim i Serbisë vjen si hakmarrje dhe nervozizëm nga votimi i Asamblesë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas tij bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.
“Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin 'ky është një urdhër nga Beogradi'. Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t'ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, shtoi ai.