Haxhiu u kritikua se ndërhyri në rastin “Brezovica” por thotë se do të bëjë thirrje në vazhdimësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë thirrje që rasti “Brezovica”, të hetohet deri në fund pa ndërhyrje. Kështu u shpreh ajo, pas reagimit të shoqërisë civile se Haxhiu po ndërhyn në këtë rast. Para mediave ka thënë se është e papranueshme që gjyqtarët e prokurorët të ndërhyjnë në këtë rast.

Pas shfaqjes së filmit “Ndryshimi” nga misioni i EULEX-it dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, Haxhiu ka komentuar reagimet e shoqërisë, të cilët kanë thënë se ministrja po ndërhyn me deklarimet e saj në këtë rast.

“Unë me shqetësim kam parë deklaratat e para disa ditëve, ku prokurorit të rastit dhe gjyqtarit të rastit i është bërë presion nga gjyqtarët të cilët i kanë pronat e tyre në këtë vend. Dhe kjo është arsyeja pse unë kam reaguar, sepse për mua është e papranueshme që një gjyqtarë, një prokuror të tentojë të ndërhyjë me një rast i cili po hetohet nga prokuroria. Si ministre e Drejtësisë bëjë thirrje që ky rast duhet të hetohet deri në fund. Personat të cilët janë të përfshirë në afera të tilla, në skandale të tilla, në paligjshmëri duhet të marrin dënimin e merituar. Për këtë do të bëjë thirrje në vazhdimësi, pavarësisht nëse shoqëria civile e konsideron deklaratën time ndërhyrje apo jo”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.


Po ashtu, ministrja Haxhiu ka deklaruar se ky hetim po prek persona të niveleve të ndryshme.


“Për herë të parë po ndodhë një hetim që prek persona të cilët janë te niveleve të ndryshme. Qoftë nga institucionet të nivelit lokal apo qendror, qoftë nga personat të cilët bëjnë punë të tjera që janë kryesisht ato private dhe në këtë drejtim unë vlerësoj që ky rast duhet të procedohet në mënyrë të pa penguar, as nga politika, as nga gjyqtarët e prokurorët”,
ka shtuar ajo.

Para disa ditëve, ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se është e shqetësuar nga raportimet për ndërhyrje në rastin “Brezovica”.

Lexo edhe

Video