Haxhiu thirrje KPK-së: Mos e bojkotoni shoqërinë civile

Haxhiu thirrje KPK-së: Mos e bojkotoni shoqërinë civile

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas akuzave dhe kundërakuzave në mes të saj dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, thotë se shkëputja e këtij bashkëpunimi është jashtëzakonisht shqetësuese dhe përbën problem të madh. Ajo i bënë thirrje KPK që mos t’i bojkotojnë organizatat e shoqërisë civile.

Ajo tha se si ministri kanë dhënë sinjale të qarta se si Qeveri janë të përkushtuar për shtetin e së drejtës.


“Uroj që pas shkëputjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë, po i referohem shkëputjes së bashkëpunimit nga sistemi prokurorial. Uroj që ata të mos bojkotojnë edhe organizatat e shoqërisë civile për faktin se kjo është shenjë jashtëzakonisht shqetësuese që përbën problem të madh.  Ne si Ministri e Drejtësisë kemi hapur dyert për të gjithë ata që duan shtetin e së drejtës dhe besoj që tashmë kemi dhënë sinjale të qarta se jemi të përkushtuar për shtetin e së drejtës, andaj kushdo që dëshiron ta ndihmoj Ministrinë e Drejtësisë për jetësimin e prioriteteve të parapara në programin qeverisës janë të mirëseardhur”, tha Haxhiu.

Këto deklarime ministrja e Drejtësisë i bëri në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: Pesë çështje që duhet marrë parasysh gjatë hartimit te projektligjit”.

Lidhur me këtë çështje sot ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi sipas të cilëve vendimi i fundit i KPK-së për të ngrirë bashkëpunimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, sikurse edhe deklaratat politike të Ministrisë së Drejtësisë ndaj sistemit prokurorial cenojnë dhe dëmtojnë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, paraqesin pengesë për të promovuar sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe zbatimin e reformave të filluara.

Lexo edhe

Video

error: