Haxhiu: Të rishikohen masat anti-COVID, u tentua të kamuflohet me shifra

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Qeverinë Kurti se ka tentuar të paraqesë shifra të rrejshme të rasteve me koronavirus dhe njëherësh ka kërkuar rishikim të masave në fuqi antiCOVID-19.   

Në seancën e sotme plenare mbi pandeminë, deputeti Haxhiu tha se qeveria aktuale duke mos arritur t’i dallojë variantet e COVID-19, po sillet me neglizhencë dhe arrogancë.


“Brenda gjashtë muajve qeveria e përsërit gabimin e njëjtë në keqmenaxhim të situatës me COVID-19. Ashtu si gjatë verës kur ishin buzë katastrofës shëndetësore dhe tani këto ditë dimri po shohim paaftësinë e njëjtë të qeverisë në menaxhim të pandemisë. As pas dy vjetësh të pandemisë, Qeveria e Kosovës nuk arrin të dallojë varietetet e COVID-19, sillet me neglizhencë dhe papërgjegjësi pavarësisht situatës pandemike. Gjatë muajit dhjetor e në fillim të janarit, kishte përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID, duke i zvogëluar ato, duke i kamufluar me grip sezonal, për faktin se simptomatologjia e omicron dhe gripit sezonal ishte e njëjtë. Testimi sot i deputetëve në Kuvend dëshmon rëndësinë e testimit me kohë dhe kjo praktikë është dashur të bëhet në shkolla dhe institucionet tjera të testohen fëmijët, dhe arsimtaret dhe qytetarët përpara se këtë privilegj ta kishte pushteti për vete”, tha ai.

Haxhiu masat antiCOVID të vendosura nga Qeveria Kurti i ka quajtur jo logjike dhe ka kërkuar rishikim të tyre.

“Masat që ka marrë qeveria janë të pa konsultuara me ekspertët e pavarur shëndetësor dhe akterë tjerë që preken nga pandemia dhe ata që janë zbatues të ligjit dhe pushtetit lokal. Do të duhej  të kishte një bashkërendim të të gjithëve në këtë betejë dhe jo vendimet të merren nga një komitet politik i emëruar nga qeveria në vitin e kaluar, i cili bashkë me qeverinë janë përgjegjës për katastrofën shëndetësore që shkaktuan gjatë verës ku për 3 muaj humbën jetën afër një mijë qytetarë… Sot në betejë me pandeminë kemi masa alogjike nga qeveria. Vendimi që në pikat kufitare të kërkohen tri doza të vaksinës është alogjik, kur në Kosovë dhe vendet fqinje janë vaksinuar vetëm 0.5 deri 1 % të qytetarëve. Me këtë vendim ka izolim dhe bllokadë të 99% të qytetarëve…Në këtë situatë kur vdekshmëria nga omicron është 25-30 herë më e ulët sesa e gripit sezonal, atëherë cila është arsyeja e masave alogjike të qeverisë, andaj po kërkojmë nga ju që me urgjencë t’i rishikoni këto masa”, u shpreh ai.

Lexo edhe

Video