Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Haxhiu: Shpenzimet e të akuzuarve në Hagë do të publikohen

Haxhiu: Shpenzimet e të akuzuarve në Hagë do të publikohen

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur që është shfuqizuar vendimi, i cili ua pamundësonte publikimin e shpenzimeve të personave që gëzojnë mbrojtje juridike në Hagë. Ajo ka njoftuar se shumë shpejt do të fillojë publikimi i këtyre shpenzimeve. Veç tjerash, ka deklaruar se shpejt do të formohet edhe grupi punues për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

E para e drejtësisë në një konferencë për media, ka folur edhe për shpenzimet e personave që gëzojnë mbrojtje juridike në Hagë. Ajo tha së më herët nuk kanë mundur t’i publikojnë për shkak se vendimi  i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nuk ka lejuar një gjë të tillë.

“Në këtë drejtim në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, tash është marrë vendimi nga kryeministri Kurti për të lejuar qasje në shpenzimet veç e veç ndaj këtyre personave. Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka shtuar se buxheti i shtetit duhet të jetë transparent, për këtë ka bërë të ditur se kanë shfuqizuar këtë vendim. 

“Në koordinim me kryeministrin Kurti ne e kemi shfuqizuar atë vendim. Por tani duhet të bëjmë edhe disa ndryshime në udhëzimin administrativ, i cili shpallet në gazetë zyrtare shtatë ditë pas nënshkrimit dhe menjëherë pasi të kaloj ky afat, kush do që ka interes për të pas informacione në lidhje me këto shpenzime, patjetër që do t’i ketë”, ka thënë ajo.


Haxhiu ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të formohet grupi punues për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Grupi punues që do të formohet javën e ardhshme për hartimin e  projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Sepse ne si grup punues, unë s’do të jem aty, do të jenë zyrtarë nga MD, ekspertë të fushës, përfaqësues të institucioneve. Do të japin kontributin e tyre varësisht me temat që kanë qenë tash e sa ditë në opinion publik. Prandaj, ne si MD nuk do të jemi përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, përgjegjës do të jetë një mekanizëm, a do të jetë agjencion i ri që do të kërkojë justifikimin  e pasurisë nga një zyrtar”, ka deklaruar ajo.

Më tej, theksoi se do të kujdesën që të mos abuzohet me këtë ligj. Por që tha se nuk është e sigurt se do të mbërrijë të realizohet brenda muaji, por që brenda vitit pret të votohet në kuvend.

Tutje, ajo ka folur edhe për rastin që sot Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje një person që ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim të përjetshëm për vrasjen e gruas.

“Shpreh shqetësimin tim për neglizhencën e madhe që vazhdon të jetë për brenda sistemit të drejtësisë, sidomos rasteve të dhunës në familje e sidomos kur këto raste po përfundojnë me fatalitet. Keni parasysh që një ndër prioritet, nga katër prioritet e MD-së, do të jetë edhe veprimi dhe adresimi i secilit në raport me parandalimin e dhunës në familje, që përfundon në raste të shumta edhe me fatalitet. Por përgjegjësia më e madhe në këto mbetet tek institucionet e drejtësisë. Sepse rastet e dhunës në familje nuk po trajtohen me seriozitetin më të madh”, ka deklaruar ajo.

Këto veprime, siç tha ajo, janë inkurajim për të gjithë dhunuesit e për gjithë kriminelët, të cilët mendojnë që kanë të drejtë të cenojnë jetën e bashkëshorteve të tyre.

Lexo edhe

Video

error: