Numri i kërkesave për lirim me kusht në vitin 2021 ka qenë mbi 700, ku vetëm 29% e tyre janë aprovuar. Ankesat më të shpeshta të të burgosurve janë se vendimet po refuzohen pa arsye.
Këto ankesa janë evidentuar edhe në raportin monitorues të misionit të EULEX-it për aplikimin e lirimit me kusht në Kosovë.
Në prezantimin e këtij raporti u tha se dënimi nuk çon domosdoshmërisht në rehabilitim, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se kanë vlerësuar që të ankimohen vendimet e panelit e lirimit me kusht.
Shefi i misionit, Lars-Gunnar Wigemark, tha se raporti që përmbledh monitorimin e aplikimit për lirimin me kusht në Kosovë, mbulon periudhën prej muajit mars 2022 deri në shtator të këtij viti.
Wigermark ka përmendur të miturit dhe gratë, për të çka tha se duhet të shfrytëzohet në masë të madhe lirimi me kusht.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për siguri publike dhe parandalimin e krimit.
Në vizitat në qendrat korrektuese, siç tha Haxhiu, një prej ankesave më të shpeshta kanë qenë vendimet e panelit me lirim me kusht.
“Konsiderohet që janë vendime standarde që nuk janë vendime individuale dhe që shumica e tyre refuzohen, pa treguar arsye se pse po refuzohen. Dhe kjo evidentohet edhe në raportin që sot po lansohet. Prandaj ne si ministri gjatë kohës sa kemi adresuar çështjet e pakos ligjore, Ligjit për Shërbimin Korrektues, Sprovues por edhe për ekzekutimin e sanksioneve penale kemi vlerësuar që për të adresuar këtë shqetësim të të burgosurve, ta bëjmë edhe ankimimin e këtyre vendimeve. Sepse siç e dimë, këto vendime nuk kanë pasur mundësi që të ankimohen”, tha ministrja e Drejtësisë.