Haxhiu ngreh dyshime për manipulim me shifrat e të vdekurve nga COVID, Kollçaku thotë se po fajësohen mjekët

Haxhiu ngreh dyshime për manipulim me shifrat e të vdekurve nga COVID, Kollçaku thotë se po fajësohen mjekët

Kosova në dy ditët e fundit nuk ka regjistruar asnjë viktimë si pasojë e infektimit me COVID-19, por dyshimin për manipulim me shifrat e të vdekurve kanë shfaqur deputetët nga opozita anëtar të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Ishte deputeti nga PDK, Bekim Haxhiu tha se nga raportimet e disa qytetarëve ka dyshime se nuk po evidentohen në regjistrin e të vdekurve nga COVID-19 qytetarët të cilët kanë vdekur për shkak të pasojave post-COVID.

Ai tha se pandemia nuk luftohet duke manipuluar shifrat por duke siguruar vaksinat.

“Shqetësuese është edhe raportimi i qytetarëve dhe të cilët tregojnë se familjarët e tyre hospitalizohen si pasojë e COVID-19 dhe pastaj pas 3-4 javësh edhe ndërrojnë jetë por nuk evidentohen në regjistrin e të vdekurve nga COVID-19, pra ka një tendencë të mashtrimit të opinionit me numrin e vdekjeve, sepse numri i vdekjeve është shumë më i madh bazuar  në raportimet e qytetarëve sesa këto që po prezantohen. Pra, një pacient i cili ka qenë pozitiv me COVID dhe është hospitalizuar në Klinikën Infektive pas disa jave ka ndërruar jetë në kujdesin intensive por nuk është evidentuar dhe në regjistrin e vdekjeve nga COVID. Nuk luftohet pandemia duke manipuluar shifrat por duke siguruar vaksinat”, tha Haxhiu.

Kurse, pas kësaj reagoi kryetarja e Komisionit për Shëndetësisë, Fatmire Kollçaku e cila tha se me këtë deklaratë po fajësohen profesionistët shëndetësor dhe jo ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Domethënë po i fajësoni mjekët  direkt këtu është fajësim sepse ministri nuk i jep diagnozat fajësimin direkt profesionistëve shëndetësor”, tha Kollçaka.

Ndërsa,  ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili është anëtar i Komisioni tha se edhe pacientët që kanë qëndruar deri në 8 javë të spitalizuar si pasojë e COVID-it dhe përfundon me fatalitet duhet të evidentohet si i vdekur nga COVID-19.

Nëse ndodh kjo ai thotë se ky është skandal.

“Rastet e vdekjeve nëse kjo saktësohet që po e thotë kolegu Haxhiu dhe po ngritët si dyshim që pacientë post-COVID si pasojë e COVID kanë përfunduar me fatalitet dhe fshihen si numër kjo është më tepër se sa skandal edhe në aspektin profesional. Të gjitha rastet që kanë qenë spitalore si pacientë COVID edhe nëse kaluar 6,7,8  javë,  në statistikat e ministrisë së Shëndetësisë është evidentuar si i vdekur nga pasojat e COVID-it, është e drejt t’i kemi këto përgjigje”, u shpreh Zemaj.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli gjithë debatin e krijuar për mundësi për manipulim me shifrat e të vdekurve nga COVID e ka quajtur si debat jo etik.


“Është debat jo etik është debat që ne si punëtor shëndetësor e kemi një betim të Hipokratit dhe nuk duhet të merremi me keqpërdorimin e njerëzve që kanë humbur jetën dhe ta bëjmë debat vërtet është për keqardhje dhe mendoj se kjo punë është e profesionistëve shëndetësor”, u shpreh Avdyli. 

Sqarime për rastet e regjistruara me fatalitet si pasojë e COVID-19 dha edhe anëtari I këtij komisioni nga AAK-ja, Shemsedin Dreshaj i cili kërkoi që sa më shumë të bëhet presion për të filluar me vaksinimin masiv.

Për të është shqetëues faktin që gjatë ditës së diele nuk është vaksinuar asnjë qytetar pasi profesionistët shëndetësor kanë kërkuar pushim.

“Pacientët të cilët spitalizohen prej COVID-it dhe gjatë spitalizimit të njëjtit negativiziohen por vdesin pa dal nga spitali janë COVID pikë, kjo është ajo pra 3 muaj nëse rrinë pra 3 muaj je COVID ku qëndron dallimi është tek ai je PCR negativ apo PCR pozitiv dhe procedurat e varrimit. Nëse kjo qëndron siç po thotë deputeti Haxhiu vërtet është për t’u brengosur por a është e saktë apo jo le të merren ata që a e kanë kompetencë[…]Kisha pas dëshirë që ne si grup parlamentar të bëjmë presion më të madh që sa më shpejt të filloj vaksinimi masiv jo me këtë formë të vaksinimit. Dje kam qenë i brengosur kur thanë se stafi mjekësor kanë kërkuar pushim ditën e diele mos me dhënë vaksina në mes të pandemisë, vërtet e kam ndjerë vetën keq. Nëse mundet QKUK, Klinika Infektive prej shkurtit të vitit 2020-të deri më sot pa asnjë ditë pushimi po cili qenka ai komoditet që mes të pandemisë për të marr pushim të rregullt, ne kemi planin strategjik. Nuk kemi vetëm një ekip kemi disa ekipe dhe duhet të mendohet”, theksoi Dreshaj.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe plani i punës së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi i cili nga anëtarët deputet nga opozita u konsiderua si plan ambicioz.

Anëtari i këtij komisioni, Bekim Haxhiu e ka kritikuar gjithë planin qeverisës për shëndetësi. Ai ka kërkuar që në agjendën legjislative të futet edhe Ligji për Transplantimin e Organeve.

“Nuk kam pritur që ky plan të jetë më i mirë sesa programi i qeverisë pra kur kemi një program të dobët të qeverisë sigurisht që kemi me pas edhe një plan të punës së njejtë[…] Është për befasi që është paraparë vetëm në qershor raportimi i ministrit e deri në tetor nuk ka planifikuar  raportim të ministrit të Shëndetësisë para Komisionit në këtë kohë të pandemisë. Pra, unë mendoj që ministri duhet të raportonte çdo dy javë para Komisionit për Shëndetësi e me mendu që në katër muaj me raportu një herë është shumë pak[…]Sa i përket legjislacionit, ligji për transplantimin e organeve është një draft i gatshëm mundemi me iniciu si komision parlamentar dhe kërkoj të jetë pjesë e planit të punës së këtij Komisioni”, tha Haxhiu.

Deputeti anëtar i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj tha se plani qeverisës për shëndetësi është pa ide dhe objektiva, ndërsa plani i punës është ngarkuar me numër të madh të projektligjeve të cilat do jenë vështirë të realizueshme brenda këtij viti. 

“Programi ka vetëm dy fjali që flet për popullatën e shëndetshme që pajtohemi të gjithë dhe thotë se duhet të hartohet strategjia e shëndetësisë, tash kur duhet të hartohet strategjia e shëndetësisë dhe a është në kohezion me të gjitha këto projektligje të cilat janë të propozuara në agjendën legjislative. Tash vetëm në muajin qershor janë 12 ligje brenda muajit që pritet me ardh në Komision[…]Nuk është e ndershme mbi të gjitha e palogjikshme dhe ka me sjell konfuzitet edhe në ambiciet që mund të jenë normale edhe do isha i përkrahur në atë që brenda një periudhe të shkurt të bëhen plotësim-ndryshime e ligje të reja të komplet sistemit të shëndetësisë. Ka pas tri-katër elemente që kanë mbetur pa e ndërruar komplet sistemin. Ndërsa, në program nuk ka fare as ide as pasqyrim dhe as objektiva që janë paraqitur për periudhën 1 vjeçare”, tha Zemaj.

Me 6 vota për dhe 4 abstenime në fund u votua edhe plani i punës së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi derisa u pajtua që të ftohet për raportim para Komisioni ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Lexo edhe

Video

error: