Haxhiu: Mirëpresim rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, në diskutim mekanizmi për mbikëqyrjen e Speciales

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qeveria mirëpret rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të ish-senatorit Dick Marty, mirëpo u shpreh se është ende herët të flitet nëse mund të ndikim diçka.

Në një konference të media që kishte ftuar për të shpalosur punën e ministrisë që drejton muajin e fundit, tha se Gjykata Speciale është pjesë e Kushtetutës dhe akti më i lartë juridik i vendit nuk mund të ndryshohet pa votat e Listës Serbe, duke lënë të nënkuptohet se zhbërja është mision i pamundur.

Gjithashtu, ajo tha se qeveria aktuale nuk mund të mbahet përgjegjëse për Specialen ndërsa tha duhet të japin përgjegjësi ata që e votuan.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret çfarëdo diskutimi në raport me këtë. Natyrisht që për ne është e rëndësishme që të drejtat e qytetarëve tanë që mbahen atje të respektohen… 14:24 Mendoj që është ende herët ta jap një qëndrim për këtë (ndikimin e rezolutës). Megjithatë ju shumë mirë e dini që Gjykatën Speciale e kanë futur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Kushtetua nuk mund të ndryshohet pa votat e 2/3 të deputetëve shqiptarë dhe pa votat e 2/3 deputetëve që përfaqësojnë komunitetin joshumicë. Ne e kemi edhe Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës që nuk do ta jap mbështetjen për një gjë të tillë megjithatë ne Gjykatën Speciale e kemi gjetur si fakt të kryer, ne nuk mund të mbahemi përgjegjës si qeveri për këtë. Përgjegjës mund të mbahen ata të cilët në atë kohë ua kishin ndrydhur duart deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Fatkeqësisht janë pikërisht ata që hedhin akuza në drejtim të qeverisë sonë mirëpo në radhe të parë ata duhet të japin përgjegjësi për veprimin që kanë bërë”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu shprehu sërish shqetësimet e saj në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po madhen në paraburgim. Ajo tha se edhe gjatë vizitës në Hagë nuk i kanë shumë informacione me pretekstin se janë të dhëna konfidenciale.


Haxhiu pranoi se institucionet e Republikës janë në diskutime për të gjetur zgjidhje për një mekanizëm që do të mbikëqyrte punën e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas saj, deklaratat e kryetarit të Kuvendit janë keqkuptuar dhe se nuk bëhet fjalë për mbikëqyrja nga ana e qeverisë apo e Kuvendit por një mekanizmi tjetër të besueshëm.

“Pas vizitës që ka pasur kryetari i Kuvendit, pas vizitës që kam pasur edhe unë në Hagë tani kjo çështje është në kuadër të diskutimeve institucionale dhe ende nuk mund të them se cila është zgjidhja për këtë. Ju garantoj që jemi në diskutime me institucionet në Republikën e Kosovës për ta adresuar këtë çështje. Sepse është e paprecedentë që një institucion siç është Gjykata Speciale nuk ka asnjë mekanizëm që e mbikëqyrë punën. Është e papranueshme që një deklaratë e kryetarit të Kuvendit është keqkuptuar sepse kryetari i Kuvendit asnjëherë nuk ka thënë që këtë kontroll duhet ta bëjë qeveria apo Kuvendi i Kosovës mirëpo një mekanizëm në të cilin ka besim qytetari i Republikës së Kosovës, një mekanizëm që konsiderohet se ka kredibilitet për ta bërë një gjë të tillë, prandaj sapo të dakordohemi për këtë natyrisht që do t’ju njoftojmë”, vijoi Haxhiu.

E pyetur nëse ka dallime në qëndrime mes Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës, sidomos në lidhje me rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatën Speciale, Haxhiu e mohoi duke thënë se iu lë mediave të gjejnë dallimet nëse ka të tilla.

Ju lë juve që të gjeni dallimet nëse ka të tilla. Besoj që secili prej institucioneve të Republikës së Kosovës i di përgjegjësitë dhe kompetencat. Siç jeni në dijeni në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është edhe divizioni për mbrojtjen financiare të personave të cilët ndodhen në Hagë dhe Ministria e Drejtësisë e ka për obligim që t’i kryejë detyrat në përputhje me legjislacionin që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës. Mirëpres rezolutën, mirëpo në asnjë rrethanë nuk thashë që do të ketë apo s’do të ketë ndikim”, përfundoi Haxhiu.

Më 125 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rezoluta që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të bëjë një rishikim të Rezolutës 1782, që shërbeu si pikënisje për ngritjen e Speciales. Të gjitha pretendimet e ngritura për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, rezoluta thotë se mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte, ndaj dhe duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video