Haxhiu: Kosova ndodhet në një momentum kyç ku duhet adresuar sfidat e procesit të drejtësisë tranzicionale
Lexohet për: 3 min.
haxhiuu
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova ndodhet në një momentum kyç ku duhet adresuar sfidat dhe mundësitë e procesit të Drejtësisë Tranzicionale. Kështu ka theksuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në tryezën me donatorë për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale” që u mbajt në Prishtinë.

Gjatë diskutimeve u theksua se kjo strategji përshkruan synime ambicioze duke filluar  nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënies deri tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me miratimin e kësaj strategjie, Kosovës i është krijuar një kornizë e rëndësishme për trajtimin e shkeljeve masive të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.

Përveç kësaj, Haxhiu tha se kjo strategji përfaqëson një moment të rëndësishëm shoqëror dhe institucional në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të promovuar dialogun shoqëror dhe për të forcuar paqen e qëndrueshme.

Ndërkaq, udhëheqësi i divizionit nga Ministria e Drejtësisë, Baki Svirca  prezantoi Planin e Veprimit të Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale. Ai tha se për këtë strategji janë ndarë, 15 milionë euro dhe se kjo strategji është fokusuar në katër objektiva strategjike të cilat janë ndarë në 18 objektiva specifike, për të cilat janë planifikuar 112 aktivitete.

Ai potencoi se strategjia ka synuar që të mundësojë vendosjen e dialogut social për të kaluarën përmes drejtësisë restauruese, për të siguruar kushtet e nevojshme për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat, për të siguruar zbatimin e një procesi gjithëpërfshirës, transparent, të mbështetjes materiale, simbolike, psikosociale për të gjitha viktimat.

Lidhur me Planin e Veprimit për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale”, drejtoresha ekzekutive e organizatës civile me qendër në Mitrovicën e Veriut, Iniciativa e Re Sociale (NSI),  Jovana Radosavljeviç u shpreh se është thelbësore të theksohet abuzimi i mundshëm që lidhet me dokumentin dhe ndërmarrjen e procesit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë e Kosovës.

Ajo tha se dokumenti i përgatitur nga MD-ja dështon në të gjitha parimet që pretendon të mbështesë, veçanërisht qasja dhe përfshirja në qendër të viktimës.

Sipas saj, kjo strategji fokusohet ekskluzivisht në vuajtjet e një komuniteti të vetëm etnik, duke neglizhuar plotësisht përvojat si vuajtje të grupeve të tjera etnike.

Ndërkaq, Radosavljeviç pas fjalës së saj lëshoi sallën, duke mos pritur përgjigjet e dhëna nga ministra Haxhiut dhe udhëheqësi i divizionit të MD-së, Svirca.

Lidhur me kritikat e saj, Baki Svrica tha se të gjitha konsultimet me fokus grupet janë të rekorduara dhe për arsye të korrektësisë nuk i lejohet që t'i prezantojë të gjitha qëndrimet e njerëzve që kanë marrë pjesë nga kategoritë e ndryshme.

Përveç kësaj, sa i përket procesit të reparacioneve, ai tha se në dokument strategjik nuk ka të dhëna konkrete sepse planifikojnë të bëjnë aktivitete të cilat e shtojnë gjithë përfshirjen.

Më 13 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, e para në Republikën e Kosovës që nga lufta e fundit.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025