Haxhiu: Kodi Civil nuk do të lejojë martesat nën 18-vjeç

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me Kodin Civil nuk do të lejohet asnjë martesë nën moshën 18-vjeçare. Ajo në prezantimin e projekt-kodit civil theksoi se do të sigurohet trajtim i barabartë i bashkëshortëve, duke siguruar se nuk do të lejohet asnjë lloj diskriminimi.

Gjatë shqyrtimit të parë të projekt-kodit civil, ministrja Haxhiu tha se është hartuar në frymë të Kushtetutës së Kosovës dhe direktivave të Bashkimit Evropian, duke ftuar kështu deputetët që të votojnë pro këtij projekt-kodi.

“Kodi civil siguron një trajtim të barabartë të bashkëshortëve në të gjitha çështjet personale dhe pasurore dhe nuk ka asnjë diskriminim. I kemi hequr të gjitha diskriminimet që kanë rezultuar ose që janë aktualisht në fuqi. Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë në pjesë të barabartë. Me projekt-kodin civil nuk lejohet më që gjykata të vlerësojë kontributin e bashkëshortëve në mënyrë të ndryshme, siç ishte më herët me Ligjin për Familjen. Në rast të divorcit apo shkurorëzimit, gjykata do të ndajë pasurinë e përbashkët në pjesë të barabartë për të dy bashkëshortët, pavarësisht në qoftë se një prej tyre ka qenë në marrëdhënie pune apo jo”, ka thënë Haxhiu.

Në bazë të këtij projekt-kodi civil, Haxhiu shtoi se kontrata martesore do të hiqet dhe pasuria do të ndahet në mënyrë të barabartë pas divorcit. E rëndësishme tha se është edhe martesa e personave nga mosha 16 deri në 18-vjeç.


“Ne e kemi hequr mundësinë që të lejohet martesat e hershme. Pra, tani me Kodin Civil vetëm martesa mbi 18-vjeç lejohet. Unë besoj që kjo është një gjë shumë e mirë, sepse Kuvendi por edhe qeveria duhet të synojmë në edukimin e fëmijëve dhe jo në martesat e hershme. Çështjet të cilat po ashtu janë të rëndësishme është që kemi adresuar edhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për faktin se organizatat të cilat janë marrë me të drejtat e fëmijëve kanë pasur shumë propozime në këtë dokument. Prandaj, secila prej tyre është adresuar në grupet punuese, e po ashtu janë fuqizuar edhe dispozitat që kanë të bëjnë me trashëgiminë”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tha se para grupeve punuese ka propozuar edhe që të mos lejohet e drejta për të hequr dorë nga trashëgimia, por aty ka pasur diskutime se ky është obligim ku duhet të paguhen taksat.

“Kodifikimi i së drejtës civile është i një rëndësie të veçantë në fushën e legjislacionit civil. Për faktin se me anë të këtij kodifikimi, korniza ligjore në fushën juridike civile bëhet me anë të një dokumenti të kodifikuar, ku edhe zbatimi i ligjeve të veçanta në fushën civile do të jetë edhe më efektiv, më i lehtë dhe më i zbatueshëm në kontekst të dispozitave materiale dhe ligjore. Ajo çka e bën më të veçantë këtë projekt-kod është edhe fakti se hartimi i tij bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës, si një nga dokumentet dhe produktet më të mëdha legjislative pas Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Në punëtoritë e mbajtura, ministrja e Drejtësisë tha se çështjet më të diskutuara kanë qenë çështja e pasurisë së bashkëshortëve, ajo e martesës, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe trashëgimia.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.