Haxhiu: Fatkeqësisht ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ka hasur në zbatim
Lexohet për: 3 min.
Seanca plenare (8 of 17)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Kosovës me 72 vota pro ka miratuar raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këtë raport e ka arsyetuar zëvendëskryetari i komisionit për legjislacion, Driton Selmanaj, i cili tha se në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji janë identifikuar mjaft të gjetura.

Deputeti Selmanaj theksoi se nga hyrja në fuqi e ligjit në fjalë vetëm në një rast ka ndodhur këshilli me kërkesë të autoritetit kompetent ta pezullojë prokurorin me 50 përqind të pagës mujore.

Ai tha se Kosova ka ligje të mira, por ngecjet kryesore janë në zbatimin e tyre.

“Gjatë vizitave në terren dhe nga shqyrtimi i të dhënave, komisioni ka arrit të identifikoj shumë të gjetura që nxjerrin në pah nivelin e zbatimit të ligjit në fjalë. Po i përmend disa prej tyre, ku nga hyrja në fuqi e ligjit vetëm në një rast ka ndodhur këshilli me kërkesë të autoritetit kompetent ka pezulluar prokurorin me 50 përqind të pagës mujore. Pra, është numër shumë i vogël i masave disiplinore të pezullimit. Nga hyrja në fuqi e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve vetëm në një rast është arritur marrëveshje vullnetare për shkeljen e supozuar. Avokati i Popullit nuk ka qenë i përfshirë në procedurë, edhe pse i është kërkuar të ngrisë rastin në Gjykatën Supreme, gjë që është refuzuar me arsyetimin se nuk janë palë në këtë rast si ankues kundrejt kryeprokurorit”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dy prej raporteve të sotme, ai për procedurën përmbarimore, por po ashtu edhe ai për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë dy nga ligjet të cilat ndonëse janë votuar nga Kuvendi, fatkeqësisht nuk kanë hasur në zbatim në praktikë.

“Vlerësoj lartë punën që ka bërë Komisioni për Legjislacion, sepse përmes mbikëqyrjes që bëjnë Komisionet e kuvendit lehtësohet edhe puna e jonë. Sepse përmes raporteve që i voton ky kuvend, ne pastaj e kuptojmë se cilat janë problemet të cilat duhet të adresohen. Pajtohemi plotësisht me rekomandimet që janë gjetur nga Komisioni mbikëqyrës. Më lejoni të ju njoftoj se krahas reformës së thellë në drejtësi, po ashtu në agjendë legjislative është edhe plotësim ndryshimi i ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për faktin se deri tani kemi marrë propozimet e shumta edhe nga shoqëria civile të cilat duhet të adresohen në mënyrë që ky ligj të jetë sa më i mirë, sa më i zbatueshëm dhe më efektiv”, theksoi ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024