Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, e ka vlerësuar si tubim të fitores, përmbylljen e fushatës zgjedhore.
Përmes një statusi në Facebook, Haskuka ka thënë se tubimi përmbyllës i fushatës së tij tregoi edhe një herë se sa të përkushtuar janë në realizimin e programit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky është statusi i tij i plotë:
Tubimi përmbyllës i fushatës sonë në mënyrë madhështore, tregoi edhe një herë se sa të përkushtuar jemi në realizimin e programit të Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren edhe për katër vitet e ardhshme. Kjo u arrit falë punës së palodhshme të anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i falënderoj nga zemra.
Kudo ku kemi shkuar gjatë kësaj fushate, në çdo lagje e në çdo fshat, e kemi shpalosur programin tonë qeverisës me sinqeritet, që Prizrenin ta bashkë qeverisim ashtu siç e meriton, me drejtësi dhe me program që sjell zhvillim e mirëqenie për të gjithë, pa dallim.
Besimin reciprok me ju qytetarë të nderuar, e kemi kapitalizuar me moskthim prapa të atyre që e zhvatën, e betonuan, e më pas edhe e diskriminuan Prizrenin.
Me këtë besim do ta vazhdojmë qeverisjen e drejtë e zhvillimore, tani edhe me mbështetjen e plotë të qeverisë Kurti.
Ura mes meje dhe Kryeministrit Kurti është ura që e solli projektin e rrugës Prizren – Tetovë, e që do të sjellë edhe shumë projekte të tjera që shtojnë aktivitetin ekonomik, kulturor, e turistik.
Prandaj, ju ftoj që të dielën të dilni e ta ushtroni të drejtën tuaj të votës, që të kemi mundësi të ndikojmë në cilësinë e jetës në Prizren, krijimit të vendeve të reja të punës e rritjes së mirëqenies qytetare edhe për katër vitet e ardhshme.