Hartimi i Strategjisë, prioritet

Hartimi i Strategjisë, prioritet

“Strategjia pa taktika është rruga më e ngadalshme drejt fitores. Taktikat pa strategji janë zhurma para humbjes.” Sun Tzu

Kriza e rëndë energjetike e këtij dimri është pasojë e shkaktuar nga mungesa e Strategjisë e Energjisë të Kosovës. Nevoja e hartimit të saj është pranuar si prioritet emergjent i Qeverisë Kurti 2, draft dokumenti i së cilës shpejt pritet të dal për diskutim. Pas projekteve zhvatëse e shkatërrimtare energjetike të qeverive të deritashme, kjo nismë besohet se do ta fus në rrugën e konsolidimit këtë sektor dhe do të ndërpritet gjakderdhja më e madhe financiare në vend. Rrënimi i këtij sektori ka qenë i barabartë me përpjekjet për rrënimin e shtetit të Kosovës, sepse energjia është produkt strategjik nga e cila sot varet jeta e saj.


Kosova edhe pas dy decenieve të ekzistencës së vet, ende nuk ka Program Kombëtar të Zhvillimit. Mungesa e tij është pengesë e dëshmuar e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Ky zhvillim është mbajtur peng nga pazarllëqet e grupeve të interesave partiake që kanë qeverisur, pa dallim. Këto grupe ndërtuan oligarkitë e tyre, të cilat për zhvatjen e buxhetit të popullit, hartuan programe me prioritete të shpifura. Për ti shuar ato pak zëra që e kërkonin këtë dokument, qeveria Thaqi pati shkuar në Banjsko të Bullgarisë, ku dështimin e hartimit e patën përballuar në saunat e ngrohta.

Duhet ta përmendim faktin se donatorët dhe institucionet tona, kanë shpenzuar shumë energji dhe para, për hartimin e një mori të strategjive sektoriale të zhvillimit. Në shumë raste hartimi i tyre është bërë në mungesë të inventarëve, pa të dhëna për potencialin, kualitetin dhe kostot e shfrytëzimit të burimeve. Këto strategji edhe po të zbatoheshin, nuk kanë pasur as sinergji në mes tyre dhe si të tilla nuk kanë mundur të japin efekte zinxhirore zhvillimi.

Ato janë hartuar nga ndonjë ekspert i huaj dhe nga niveli i ulët i vendimmarrjes, për shkak se vendimmarrësit suprem “nuk kishin kohë të merren me këto pallavra”. Shpejt u pa se shumica e tyre nuk kishin bazë shkencore dhe ishin të pa zbatueshme. Më pas disa nga to u mbyllën në sirtarë dhe nuk u përdorën madje as si referenca, ndërsa disa u mbete në duar disa drejtorëve dembel, sa për t’ua mbrojtur karriget. Disa nga to mund të aktivizohen nëse hartohet Strategjia Kombëtar e Zhvillimit si dokumenti amë. Ky dokument do të bëhet udhërrëfyes i disa qeverive, i cili do të ju tregon atyre jo vetëm çka duhet të bëjnë, por për më mirë edhe çka nuk duhet të bëjnë. Kjo është shumë me rëndësi sepse te ne ka vendimmarrës që “kanë prirje” për t’i bërë punët së prapthi.



Një dokument i tillë në shtetet e zhvilluara hartohet nga niveli i lartë i vendimmarrjes, ku kyçen ekspertët më të mirë të vendit dhe ekspertë eminent të botës që angazhohen me pagesë.
Hartimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, duhet t’i paraprijë inventarizimi urgjent i resurseve të pa hulumtuara. Këto të dhëna janë kusht për gjenerimin e modeleve të zhvillimit të vendit dhe zbatimit të projekteve sipas fitimeve që ato japin në sineregji dhe veç e veç.


Për më shumë, Kosova nuk mund të zhvillohet vetëm duke i aktivizuar resurset me përparësi krahasuese, por krahas tyre duhet të zhvillohet edhe pjesa e Programit afatgjatë të edukimit dhe arsimimit të fuqisë punëtore i cili duhet të jetë kompatibil me te, për ta rritur efikasitetin e punës, i cili i joshë investitorët e huaj. Ka ardhur koha e dijeve të reja dhe përvoja të dëshmuara të cilat mund të arrihen nëse sistemi arsimor pajiset me IT dhe metoda të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies, me laborator, me fusha eksperimentale, me institute etj. Universitetet e shumta, (të hapura pa kritere), suksesin e tyre duhet ta bazojnë në arsimimin e gjeneratave duke u bazuar në resurset e regjioneve të tyre. Ta marrim, mineralet, teknologjia dhe mjedisi në Mitrovicë; Pylltaria dhe përpunimi I drurit në Pejë; edukimi, hidrologjia dhe fizioterapia në Gjilan etj.


Një strategji e tillë përcakton zbatimin e projekteve me prioritet, jo vetëm për një Qeveri, por për disa Qeveri që do të vijnë në pushtet, të cilat performancën e tyre do ta dëshmojnë me shpejtësinë dhe koston e zbatimit të tyre.


Qasja strategjike ndaj energjisë duhet të përshëndetet. Por, pa hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Kosovës, nuk do të jetë zgjidhja më e mirë. Kjo për faktin se efektet e saj do ta determinojnë nevojën e ndërhyrjeve të shpeshta për ti balancuar efektet që do të shkaktohen në fushat tjera të zhvillimit, të cilat shpejt do të kërkojnë trajtim emergjent strategjik.


Hartimi i një Strategjie Kombëtare të Zhvillimit është zgjidhja më fatlume që kërkohet nga kjo qeveri, e cila problemet e vendit i ka të çarta dhe po i adreson shumë mirë. Se a do të jetë në gjendje që ato ti përkthej në projekte, ti menaxhoj e zgjidh shpejt sipas prioriteteve, kjo mbetet për tu parë.
Përndryshe thënia proverbiale e Sun Tzu, mund të dëshmohet sërish edhe në Kosovë!

Lexo edhe

Video