Haradinaj premton investime konkrete për Kolovicë, Kodër të Trimave e Bardhosh

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj sonte gjatë një tubimi me banorët e Kodrës së Trimave, Kolovicës dhe Bardhoshit, ka premtuar zgjidhjen e problemeve dhe investime konkrete për këto lagje.

Haradinaj për Kodrën e Trimave u zotua se do të rregullojë kanalizimin dhe ndriçimin, ndërsa shtoi se me ardhjen e tij në krye të komunës në këtë lagje do të lejohen edhe ndërtimet e larta.

“Pra, Kodra e Trimave duhet ta ketë komunën e vet, stacionin policor të ndërtuar në formë tjetër dhe jo në kontejneri. Duhet të ketë kanalizimin, ndriçim dhe mbi të gjitha Kodrës së Trimave duhet lejuar ndërtimi i lartë, sepse është e vetmja rrugë për t’u shkarkuar dyndja e këtyre banorëve. Nuk ka rrugë tjetër. Kodra e Trimave të ketë koeficient ndërtimi, sepse të gjithë ata banorë kanë pak pronë dhe familje të mëdha, dhe unë nuk besoj që vjen dikush të investojë për dy-tre ari për një ndërtim dykatësh. Pse mos të bëhet edhe 10 kat plus”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se me urgjencë do të zgjidh edhe problemin e transportit publik për Kolovicën dhe Kodrën e Trimave.

“Nëse dilni prej rrugës kryesore qoftë në Kolovicë apo Kodër të Trimave nuk ka transport publik dhe kjo duhet të zgjidhet urgjent dhe në fund është një pyetje se ku po i merrni mjetet. Nuk do t’ju flasim për projektet të cilat tejkalojnë parashikimet buxhetore për çdo vit, jemi duke folur për një buxhet 500 milionë, një buxhet i cili nuk është harxhuar tash e sa vite as 50 për qind e atij buxheti”, tha Haradinaj.


Për Bardhoshin, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës premtoi investime në mjekësi, por edhe sport. Ai u zotua se do të ofrojë ndihmë edhe për zhvillimin e bujqësisë, ndërsa të domosdoshme e ka parë edhe rikthimin e zonës industriale.

“Meqenëse në Bardhosh ka qenë një shtëpi e kulturë, por që është investuar  rreth 3 milionë e 700 mijë euro dhe e njëjta është shkatërruar dhe ku abuzohen të rinj dhe të rejat me narkotikë dhe substancë, është një gjë e keqe që ka ndodhur. Aty është një ambulancë që nuk kryen shërbime minimale. Është një mundësi e bujqësisë me të gjitha ato toka pjellore, por mos harroni se subvencionet dhe grantet e pushtetit iu shkojnë në vjeshtë në vend që t’iu shkojnë në pranverë kur bujku dhe fermeri nis punën… Duhet dhënë kodi 038 çdo produkti dhe t’i kthehet zona industriale Vranjevcit dhe Bardhoshit, pasi është një mundësi e artë për t’u zhvilluar”, tha Haradinaj.

Në takimin me banorët e Kolovicës, Kodrës së Trimave dhe Bardhoshit, Haradinaj tha se programi i tij është zgjidhje për shumë probleme të kryeqytetit që parashihet të realizohen me një buxhet 500 milionë euro.

“Sa i përket listës që unë e kam ofruar në këto zgjedhje jam munduar të shkoj familje për familje dhe lagje për lagje për t’i identifikuar problemet, por edhe personalitetet që do të jenë zëri i qytetarëve në asamble… E kemi quajtur program ‘Prishtina’  dhe është program real, nuk kemi shkuar me program të imagjinuar vetëm sa për ta marrë besimin e qytetarëve, por komplet ky program katërvjeçar nuk e kalon buxhetin 500 milionë që parashihet të jetë buxheti i Prishtinës”, tha Haradinaj.

Gjatë këtij takimi u prezantuan edhe kandidatët për asamblistë nga kjo parti.

Lexo edhe

Video