Haradinaj për Gjykatën Speciale: Pranuam se nuk jemi të zot

Haradinaj për Gjykatën Speciale: Pranuam se nuk jemi të zot

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ripërseritur se ai ka qenë gjithmonë kundër ndërtimit të Gjykatës Speciale të Hagës, pasi ka tipare vetëm të një etnie, ndërkohë që shton se me votimin e nisjes së gjykatës u pranua para të gjithëve se “nuk jemi të zot për të gjykuar drejt që është gabim i madh dhe strategjik afatgjatë.”

Ramush Haradinaj për Ora News ka thënë se ai që ka shkuar për të luftuar dhe ka mbrojtur familjen e vet dhe njerëz të pafajshëm, ai është në të vërtetë njeriu më i lumtur në botë dhe se tremb asgjë.


“Ishte gabim votimi i kësaj gjykate. Në atë kohë unë personalisht dhe Aleanca nuk e ka votuar. Kemi qenë të hapur për gjykatën dhe jemi çdo herë për drejtësi e për gjyqësor, jemi të interesuar që të zbardhet e të vendoset e vërteta për viktimat në Kosovë, sepse ne jemi viktima. Ne kemi kërkuar që t’i besohet ajo gjykatë Kosovës si çdo shtet i pavarur, njëkohësisht që të mos jetë një etnike. Këto dy vërejtje kemi pasur. Votimi i z. Thaçi, i z. Veseli, i PDK në atë kohë ka qenë gabim, për shkak se kanë pranuar të votojnë një gjykatë që ka shprehur direkt mosbesim për sistemin vendor të drejtësisë dhe në shtetin e Kosovës, për këtë arsye është vendosur jashtë vendit. Njëkohësisht është edhe njëetnike, pra në atë kohë është menduar si një gjykatë vetëm për UÇK dhe mendojmë që është gabuar. Mendoj se Kosova ka mundur të ndërtojë një gjykatë, në këtë kohë kur është kërkuar nga aleatët tonë amerikanë dhe evropianë, votimi i një gjykate të kësaj natyre, Kosova ka mundur ta votojë këtë gjykatë në Kosovë. Është e Kosovës, me ligje të Kosovës, e votuar në Kosovë. Ndërsa ia kemi lënë mundësinë e aktivitetit të kësaj gjykate edhe jashtë vendit. Gabimi i parë ka qenë që nuk kemi hequr dorë nga vetja dhe nga zotësia që ne jemi bërë gjyqësor me gjykime të drejta, pa pasur parasysh përkatësinë etnike. Kemi pranuar para të gjithëve që nuk jemi të zot për të gjykuar drejt që është gabim i madh dhe strategjik afatgjatë. Serbia ka një gjykatë të vetën në Beograd për krime lufte dhe ne kemi kërkuar po ashtu për të ndërtuar tonën. Unë kam qenë subjekt i asaj gjykate, kam kaluar dy procese gjyqësore. Tre herë kam kaluar nëpër filtra gjyqësore. Kosova ka mundur të votojë të njëjtën që ka Serbia për vete dhe kur dikush e kritikon Kosovën se nuk mjafton, atëherë ata kanë qenë palë në luftë edhe ne, jemi ekuivalente. Pse duhet Kosova të bëjë diçka ndryshe nga ajo që ka Serbia. Kur dikush të kritikon , i thua që jemi në nivel të Serbisë që është aleat i rusëve dhe s’do kishte çfarë ti kërkonte dikush Kosovës nëse s’ja ka kërkuar Serbisë. Politika atëherë u dorëzua gabim. Tani është gabimi i dytë që po bëjmë, duke e cilësuar këtë gjykatë si kundër UÇK-së dhe duke e luftuar politikisht. Nuk luftohet gjyqësori politikisht”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se ai gëzon mbështetjen e popullit të Kosovës, ndërkohë që shton se çështja e tij në gjykatë është konsumuar dhe nuk pret ta thërrasin më.

“Fjala trembje është e gabuar. Ai që ka shkuar për të luftuar ka mbrojtur familjen e vet, ka mbrojtur njerëz të pafajshëm. Ai është në të vërtetë njeriu më i lumtur në botë dhe se tremb asgjë. Pra ai njeri që ka dalë dhe për ta vendosur veten e vet përballë, unë kam shumë njerëz të vrarë për të mbrojtur civilët, dhe nuk i trembem asnjë ftese, asnjë gjykate. Ju keni veprimet e mija në të kaluarën. Sa herë që jam thirrur kam dhënë dorëheqjen, kam shkuar, kam vërtetuar pafajësinë time dhe jam kthyer në shtëpi. Populli më ka përkrahur shumë atëherë në çdo aspekt. Tani nuk jam subjekt i hetimeve për shkak se janë konsumuar hetimet. Kam kaluar dy herë në procese gjykimi te një gjykatë që si instancë është më e lartë se kjo. Kam pasur edhe një proces të tretë për akuzat që bën Serbia në Hagë. Janë përmbyllur në favor të pafajësisë time”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: