Haradinaj nis fushatën për Prishtinën, prezanton programin e tij qeverisës

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka hapur edhe zyrtarisht fushatën zgjedhore ku ka prezantuar programin qeverisës.

Prioritete kryesore, Haradinaj u shpreh se ka zbatimin e Ligjit për kryeqytetin, ndërtimin e spitalit të Prishtinës, zgjidhjen për çështjen e trafikut e parkingjeve në kryeqytet.

Pretendenti për të parin e Prishtinës, u shpreh se është si top prioritet të qeverisjes së tij e ka zbatimin e Ligjit për kryeqytetin, i cili mundëson edhe krijimin e policisë komunale, e cila sipas tij, do të ndikonte edhe në rritjen e sigurisë në komunitet.

“Ne e kemi qitë si top prioritet dhe që mendojmë është shumë më rëndësi gjëja e parë që duhet të ndodhë në qeverisjen e ardhshme kushdo që e merr mandatin, por meqenëse jam garues besoj që do ta kem besimin, është zbatimi i Ligjit për kryeqytetin, që është një prej prioriteteve dhe mendoj që është prioritetet i prioriteteve se më nuk kemi mundësi të justifikohemi se e kemi ligjin. Brenda këtij ligjit parashihet krijimi i policisë së kryeqytetit që nënkupton siguria në komunitet, në shkolla dhe në secilin sektor të jetës në kryeqytet”, tha ai.

Haradinaj tha se është për keqardhje që tash e 21 vjet Prishtina nuk ka spital regjional. Ai tha se planifikojnë që i njëjti të ndërtohet në fshatin Llukar, ndërsa tha se duhet të ketë sipërfaqe prej 18.000 metra katrorë me një kosto të përafërt ndërtimi prej 21 milionë eurosh.

“Më të vërtetë nuk e di pse, por tash e 21 vite ndoshta i vetmi kryeqytet të paktën në rajon që nuk ka spital, ndërsa ka pasur kritika se e di që ndoshta edhe mungojnë informatat, por në të gjitha kryeqendrat regjionale të Kosovës kemi spitale regjionale, i fundit që është duke u ndërtuar është në Ferizaj. Ndërsa, kryeqyteti jonë nuk e ka një të tillë”, tha Haradinaj.

Kandidati i AAK-së për Prishtinën, u shpreh se gjatë mandatit të tij vëmendje të veçantë do t’i kushtojë trafikut në kryeqytet dhe parkingjeve.

Haradinaj tha se do të ndërtohen nënkalime me katër korsi, që sipas tij do të ndikonte në lirimin e trafikut, tri parkingje në hyrje të qytetit. Ai foli edhe për ndërtimin e linjës së metrosë Fushë Kosovë-Prishtinë.


“Kur është ndërtuar katër trakësh në vitin 2007 Prishtinë-Fushë Kosovë-Sllatinë është paraparë në mes ndërtimi i metrosë. Kjo do t’iu ndihmonte studentëve, udhëtarëve që vijnë nga diaspora në kryeqytet. Po ashtu, do t’iu ndihmonte  shumë të rinjve dhe të rejave që i keni parë edhe vetë në çfarë gjendje e kalojnë rrugën prej stacionit të autobusëve deri te konviktet”, tha ai.

Duke folur për problematikat e kryeqytetit, Haradinaj tha se gjatë mandatit të tij do të adresojë edhe çështjen e legalizimit, për të cilën tha se është ndër problemet me të cilat përballet Prishtina.

Haradinaj ka premtuar edhe mbështetje për sportin në kryeqytet, derisa u shpreh se në secilën lagje duhet të ketë palestra sportive.

Po ashtu, ai ka premtuar se do të ketë ndërtim të shkollave dhe çerdheve, krijimi i ditarëve digjital për shkollat. Gjatë mandatit të tij, ai tha se do të stimulohen edhe lindjet me nga 500 euro, derisa tha se komuna do të merret edhe me ceremonitë mortore.

Një nga fushat ku do të ndërhyjnë, Haradinaj tha se është edhe Pallati i Rinisë. Ai tha se do ta rivitalizojnë në tërësi me qëllim të gërshetimit të aktiviteteve sportive, kulturore, argëtuese dhe komerciale.

Haradinaj tha se koncepti ideor për Pallatin e Rinisë përfshin ndërtimin e platformës lidhëse nga hoteli “Grand”, duke inkorporuar hapësirë për shëtitore dhe duke mundësuar qarkullimin në këmbë të qytetarëve nga sheshi “Zahir Pajaziti.

Gjithashtu, Haradinaj ka premtuar përkrahje edhe për fermerët e Prishtinës, për të cilët u shpreh se do të kenë kodin e veçantë për produktet e tyre.

“Produktet të cilat dalin prej kryeqytetit ta kenë kodin e vet 038 që jo vetëm të identifikohen, po të gjejmë forma edhe t’i krijojmë lehtësira edhe në garantimin e tregut, sepse heqin shumë ndërsa tregu i madh ka shumë probleme, infrastruktura është shumë e dobët, kanë probleme po flasim krejt hapur detyrohet një bujk të shkojë në ora 12 të natës për ta zënë një pozicion që të mund të shesë nesër në mëngjes për shkak se është i stërngarkuar”, tha ai.

Zgjedhjet lokale për kryetar dhe asamble komunale në Kosovë mbahen sipas afatit të rregullt më 17 tetor.

Lexo edhe

Video