Haradinaj në Kukës: Jemi vëllezër përjetësisht

Haradinaj në Kukës: Jemi vëllezër përjetësisht

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj po qëndron sot për një vizitë në Shqipëri, përkatësisht në Kukës ku është pritur nga kryetari i saj, Safet Gjici.

Haradinaj me këtë rast ka falënderuar kryetarin Gjici për pritjen, qytetarët kuksian dhe gjithë instancat shtetërore të Shqipërisë të të gjitha kohërave për kujdesin e treguar për Kosovën dhe popullin e saj në periudha të vështira.

“Jam në Kukës sot për të shpreh falënderime për qytetarët e këtushëm, për Bashkinë e Kukësit, për të gjitha instancat e shtetit shqiptar të të gjitha kohërave për kujdesin që e kanë bërë për Kosovën dhe popullin e saj. Kisha nderin që të vlerësohem nga ju si Qytetar Nderi në kohërat më specifike për mua”, ka thënë Haradinaj.


Ai ka shtuar se periudha e luftës për lirinë e Kosovës është një periudhë që zë vend përgjithmonë në memorien tonë.

“Periudha e luftës për lirinë e Kosovës është një periudhë që zë vend për kohë të gjatë ne memorien tonë dhe gati se është e përhershme dhe ne përjetësisht do të jemi mirënjohës dhe falënderues qytetarëve të Kukësit për kujdesin e treguar në vitet ’98-99 si vëllezër e motra të juaj dhe tonët, kësisoj ndjenja jonë vëllazërore të jetë e përhershme ashtu siç është dhe mos të ndikohet nga asnjë përkatësi politike apo natyrave tjera”, ka përfunduar Haradinaj.

Sipas një njoftimi të AAK-së, ai i ka ndarë medalje “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.

Lexo edhe

Video