Haradinaj kujton Markalleshët e Vraniqit: Qëndruan të palëkundur që nga fillimet e luftës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 7 Gushtit të vitit 1998 nga Vraniqi i Gjakovës.
Haradinaj ka thënë se familja emblematike Markalleshi nga Vraniqi i Gjakovës ka një histori të gjatë dhe të lavdishme.
"Familja emblematike Markalleshi nga Vraniqi i Gjakovës ka një histori të gjatë dhe të lavdishme. Gjatë luftës çlirimtare, kjo familje i dha Kosovës katër dëshmorë, Mark, Kolë, Prend dhe Memë Lleshi. Markalleshët, të patrembur përballë armiqve, ishin në ballë të qëndresës shqiptare gjatë shekullit të kaluar. Gjatë luftës së UÇK-së, trualli i tyre tani kishte marrë një pamje tjetër, aty gjenin strehë shumë luftëtarë të UÇK-së", ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se në këtë datë, forcat armike hasën në rezistencë të paparë.
"Më 7 gusht 1998, forcat armike hasën në rezistencë të paparë. Luftuan të gjithë, i madh e i vogël, gra, burra e pleq. Heroikisht ranë Mark dhe Kolë Lleshi, rrugën e të cilëve e ndjekën bijtë e kësaj familjeje të madhe, Prendi e Mema. Bashkë me ta, të gjithë Markalleshët ishin në ballë nëpër shumë beteja. Gega, Toma dhe Nika ishin luftëtarë të zotë që qëndruan të palëkundur që nga fillimet e luftës. Lavdi e përjetshme luftëtarëve të Atdheut; Mark, Kolë, Prend dhe Memë Lleshi", është shprehur Haradinaj.