Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Kush je ti? Ku po na çon?

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Kush je ti? Ku po na çon?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradianj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit nga posti i Kryeministrit të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk po merr përgjigje nga Kurti për pyetjet e shumta që i ka shtruar atij përderisa Kurti po angazhon hajdut të vegjël të dalin nëpër televizione.

“Ministrat tu, ai i Brendshëm, e Drejtësisë, dhe i Infrastrukturës dikur e akuzonin qeverinë time për Nexhat Krasniqin, siç e quanin “kryekriminel” dhe “baba i tenderëve”. Tash Nexhati është i angazhuar edhe në qeverinë tënde, konkretisht në ministrinë e cila në dy muaj ka dhënë 29 tenderën njëburimore. A u bëre edhe ti si Nexhati, apo ai u bë i mirë tash? Po 38 kontrata sekrete, në dobi të kujt janë? Ku po shkojnë ato para? Albin, po mundohesh të më heshtësh mua dhe Aleancën. Janë munduar edhe të tjerët, por nuk kanë arritur. Ne jemi arrë e fortë për ju.  Albin, i harrove edhe përkrahësit e tu. Punësove vajza të tezeve, mbesa, axhallarë, motra e dhëndurë të elitës së pushtetarëve. A nuk ishte farefisi për dasma? E harrove barazinë sociale, godite edhe pensionistët. Godite mjekët e policët. E tash brenda ditës, gjobiten mbi 4000 qytetarë, në vend se të marrin mbështetje nga shteti”, ka shkruar Haradinaj.


Ai ka vazhduar me pyetje ndaj Kurtit se pse po i dëmton prodhuesit vendor duke ia hequr Serbisë taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, duke i thënë se nuk e ka vendosur reciprocitetin kur e ka hequr taksën.

Më tej Haradinaj ka pyetur Kurtin se a po marrin qytetarët kujdesin e duhur shëndetësor dhe se a i ka vizituar spitalet që të shoh përpjekjet titanike të mjekëve e stafit mjekësor, duke i kujtuar atij se me 2 gusht u krenua që mundi pandeminë dhe hoqi nga puna profesionistët mjekësorë.

Dhe në fund ai i kujtoi Kurtit se as ai dhe as Aleanca nuk do i mbështesin shkelësit e ligjit duke i thënë se ata i duan në burgje por jo përmes gjykimit publik të Kurtit por përmes organeve të drejtësisë të cilave po u bëhet presioni më i madh i mundshëm nga qeveria Kurti.

“Kush je ti? Ku po na çon? Ti që po e përdhos edhe gjakun e Dëshmorëve, që lëkund edhe eshtrat e tyre në varre. Ti që u bëre turpi i Kosovës. Marre!”, shkroi në fund Haradinaj.

Lexo edhe

Video