Hapja e Urës mbi lumin Ibër, kryeministri Kurti pret në takim komandantin e KFOR-it
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas.

Kjo, është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se ky takim ishte në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm.

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në vend.

Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme.

Në komunikatë thuhet se kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX.

Kryeministri Kurti u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

Në këtë takim u diskutua edhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve.

Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024