Hapet fushata “Blloko urrejtjen Fal Dashni”

Hapet fushata “Blloko urrejtjen Fal Dashni”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori sot pjesë në ceremoninë e hapjes së fushatës së përbashkët vetëdijesuese të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.”

Ai me këtë rast tha se programi qeverisës parashikon një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë, gjë e cila sipas tij, do të arrihet duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kurti veçoi vendimin nga mbledhja e djeshme e Qeverisë, për miratimin e programit pesëvjeçar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.


“Vendimet që marrim në jetë janë vërtet zgjedhje dhe përgjegjësi individuale, por askush nuk duhet të vuajë për to për shkak të mungesës së lirive e të drejtave, por edhe mundësive,” tha Kurti.

Ai shtoi se mundësitë e barabarta nuk vijnë vetëm nga garantimi i lirive dhe të drejtave, por edhe nga krijimi i parakushteve për rezultate dhe sukses.

Në këtë ceremoni të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me fjalë rasti iu drejtuan të pranishmëve edhe Frank Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ambasadori Tomash Szunyog, përfaqësues special i BE/shef i Zyrës së BE në Kosovë, Verena Taylor, drejtore e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Evropës dhe Naim Qelaj,  Avokati i Popullit.

Fushata “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.” synon të informojë dhe edukojë shoqërinë dhe rininë për rolin e tyre në luftën kundër gjuhës së urrejtjes.

Video