Është hapur ekspozita “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri” në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në të cilën për një javë do të qëndrojnë mbi 200 fotografi që flasin për qëndresën heroike të familjes Jashari dhe sakrificën më sublime të saj.
Pasardhësi i familjes Jashari, Bekimi, tha se populli shqiptar ka vuajtur shumë për liri, derisa shtoi se shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq dhe ta përjetësojë historinë me fakte për brezat e tjerë.
“Shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të kontraktuar e të ndihmuar, dhe t’i mbështetë njerëzit e vullnetit të mirë apo organizatat e ndryshme që të mbledhin sa më shumë fakte dhe dëshmi, më së pari për fëmijët tanë që t’i shohin dhe ta mësojnë se çfarë ka ndodhur me shekuj rresht në Kosovën tonë”, u shpreh Jashari.
E autori i ekspozitës së sotme, Sadik Krasniqi tha se kjo ekspozitë përmban mbi 200 fotografi, dhe përmes tyre arrihet tu sjellë historinë prej së afërmi vizitorëve.

“Ekspozita përmban mbi 200 fotografi që flasin për dimensione të ndryshme të familjes”, tha Krasniqi.
Për të parë nga afër ekspozitën në Muzeun e Kombëtar të Kosovës kishin ardhur edhe qytetarë.
“Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri”, e cila është hapur për nder të Epopesë së lavdishme të UÇK-së do të qëndrojë e hapur për shtatë ditë, ku qytetarët do të mund të shohin përmes fotografive qëndresën heroike të familjes Jashari.