Hapet afati për aplikim për subvencionim të efiçiencës së energjisë, ndryshohen disa kritere

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se sot është hapur afati për aplikim në fazën e parë për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët.

Ministrja gjatë konferencës për media, tha se afati për aplikim në fazën e parë është i hapur nga sot deri më 25 nëntor, ndërsa afati i fundit për fazën e dytë është më datën 9 dhjetor 2022.

“Që nga sot është hapur tanimë thirrja, në orën 12:00.”, u shpreh ajo.

Në fazën e parë të 6 tetorit për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët, ministrja Rizvanolli u shpreh se kanë aplikuar 5 mijë e 992 qytetarë, ndërsa në fazën e dytë 2 mijë e 377, derisa tregoi se kanë përfitur mbi 2 mijë qytetarë.

“Sa i përket aplikimeve për thirrjen e parë të 6 tetorit, do të ndajë disa informata me ju, kanë aplikuar në total 5 mijë e 992 qytetarë, prej të cilëve në fazën e dytë pastaj, kanë aplikuar 2 mijë e 377. Domethënë 40 për qind e atyre që kanë aplikuar në fazën e parë e kanë vazhduar aplikimin në fazën e dytë. Sipas vendimeve të komisioneve që i kanë vlerësuar këto aplikime edhe në fazën e dytë, do të finalizohen 2 mijë e 228 marrëveshje, do të thotë 2 mijë e 228 qytetarë kanë përfituar, duke arritur vlerën për pagesë për 1 milion e 435 mijë e 800 euro”, tha ajo dhe shtoi se vlerësimet janë bërë nga katër komisione.

Rizvanolli deklaroi se komisioni ka pranuar gjithsej 14 ankesa.

“Përveç katër komisioneve të themeluara për vlerësimin e aplikimeve, Ministria menjëherë ka themeluar edhe komisionin e posaçëm të ankesave, në mënyrë që ankesat të adresohen në afat sa më të shkurtër. Komisioni i ankesave i ka pranuar 14 ankesa dhe i ka adresuar të gjitha”, u shpreh ministrja, përcjell Kosovapress

Rizvanolli deklaroi se nuk ka pasur asnjë rast të ndonjë ankesë të ndonjë keqpërdorimi apo shkelje të së drejtës.


Ajo tha se ka pranuar edhe kërkesa për ndryshim të pajisjeve. Ministrja u shpreh se kanë pranuar që nga dita e parë qindra pyetje nga qytetarët dhe se janë munduar që shqetësimet e tyre t’i adresojnë.

Rizvanolli potencoi se në thirrjen e dytë përveç kritereve që kanë qenë, janë ndryshuar disa kritere për subvencionim të efiçencës së energjisë, në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Sa i përket qytetarëve që janë në mbështetje të skemës sociale, kategoria 1 dhe 2 dhe e ndihmës sociale, është rritur subvencioni për inverterë, klimë efiçiente nga 40 për qind e vlerës me maskimun 400 euro që është për të tjerët, do të thotë për përfituesit e ndihmës sociale, tani klimën mund ta përfitojnë me një subvencion deri në 60 për qind të vlerës ose jo më shumë se 550 euro”, u shpreh ndër të tjera Rizvanolli.

Ajo potencoi se janë në komunikim me komunat dhe qendra për punë sociale, departamentin për mirëqenie sociale në Ministrinë e Financave, Punëve dhe Transfereve, në mënyrë siç tha ajo, që qendrat për punë sociale të shohin mundësitë për të ju ofruar mbështetje qytetarëve gjatë aplikimit në platfomrën e-Kosova.

Ministrja tregoi se për nënat vetushqyese kanë paraparë subvencion më të lartë.

“Për nënat vetushqyese kemi paraparë gjithashtu një subvencion më të lartë, për stufat individuale me biomasë, për kategoritë tjera do të thotë është 70 për qind e vlerës, jo më shumë sesa 435 euro, për nënat vetushqyese do të subvencionohet deri në 90 për qind e vlerës investive, jo më shumë se 560 euro. ”, tha ajo.

Minsitrja Rizvanolli, ndër të tjera tregoi se kanë hapur një komunitet në viber me qëllim që t’i informojnë qytetarët edhe për subvencionet e ndryshme, masave prej të cilave mund të përfitojnë, por edhe për siç tha ajo, momentet kritike për furizim me energji elektrike.

Gjatë konferencës së të premtes, Rizvanolli tha se nuk ka ndonjë vendim të kohëve të fundit për mosndriçim të shesheve ose për mosndriçim gjatë festive të fundvitit.

“Në masat obligative të kursimit që i kemi votuar në Qeveri para rreth 1 muaji tash po bëhen, është i ndaluar ndriçimi dekorativ, ndërsa sa i përket ndriçimit dekorativ për festat e fundvitit specifikisht, ne planikfikojmë që të ndërmarrim masa duke kufizuar kohëzagjtjen, mirëpo edhe masën, në të cilën ato po shfrytëzohen”, shtoi ajo./KosovaPress

Lexo edhe

Video