Hamza në takime zyrtare në SHBA
Kryetari i Mitrovicës të Jugut, njëherësh kandidat i propozuar për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka filluar vizitën në SHBA ku është takuar me asistentin special të presidentit Joe Biden, Michael Carpenter si dhe me drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), Kathleen Larkin.
Ai ka treguar për mesazhet që ka marr atje.
“Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Hamza në rrjetin social Facebook.
Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, Hamza tha se partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike.