Hamza-Muratit: Pse nuk po e zbatoni ligjin për rimëkëmbje, edhe gjashtë muaj skadon ky ligj

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës theksoi se gjendja në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë e rëndë për dy arsye, e para si rezultat i pandemisë që ka prekur gjithë ekonominë e botës dhe e dyta si rezultat i mosveprimit të duhur dhe në kohë nga qeveritë paraprake.

Ish-ministri i Financave, Hamza në interpelancën për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”, duke kërkuar përgjegjësi nga ministri i Financave për moszbatimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka kërkuar nga qeveria që të propozoi masa ligjore për faljen e borxheve ose Kuvendi të merr iniciativë ligjore për këtë çështje.

“Në këtë kuvend në dhjetor të vitit të kaluar e kemi votuar ligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe kemi pasur për qëllim që të përkrahim sektorin privat. Përveç tjerave po i përmendi vetëm tri elemente, e para 200 milionë euro grante pa kthim për bizneset. Gjithashtu, ky ligj ka paraparë edhe 30 milionë euro për të gjithë të punësuarit të cilët i kanë humbur vendet e tyre të punës në pandemi. Po ashtu, me këtë ligj është liruar lënda e parë e prodhuar brenda vendit nga pagesa e TVSH-së. Qe 6 muaj ky ligj nuk po zbatohet, ministër Murati pyetja është pse nuk po zbatohet ligji? Shpesh herë ne mundem mos me u pajtuar me ligjin ose mos me pëlqyer ligji, por jemi të detyruar me zbatuar ligjin se është në fuqi. Për tej kësaj ky ligj pas 6 muajve skadon, neni 16 i këtij ligji e parash këtë… Nuk kemi qëllim me garuar se kush i ka filluar këto procedura i pari, dhe të marrin rolin prijës në këtë drejtim, por po ua përkujtoi se me kërkesën tonë për debat për ekonomi, në pikën 5, PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të propozoi masa ligjore për faljen e gjobave të shqiptuara ndaj bizneseve në kohë pandemie. Për këtë ne po kërkojmë masa ligjore nga qeveria ose të bëhet përmes projektligjit të rregullohet kjo çështje ose kuvendi merr iniciativë ligjore”, u shpreh Hamza. 


Në emër të GP të PDK-së, Hamza, tha se pse është gjendja e rëndë ekonomike e tregon edhe norma dhe niveli i normës negative të rritjes ekonomike, e cila është më e madhja nga të gjitha vendet e regjionit.

Gjithashtu siç tha ai e tregon rritja e borxhit publik, rritja e deficitit buxhetor dhe zvogëlimi i bilancit bankar nga 5.1 përqind në raport me GDP-në me vitin 2019 në 3.4 përqind në vitin 2020.

Sipas tij, kjo tregon se është dëmtuar edhe likuiditeti i shtetit.

Hamza në kuvend tha po ashtu se pse gjendja është e rëndë në ekonomi dhe në biznes e tregon edhe fakti që bizneset kredimarrëse kanë bërë kërkesë prej 1 miliard e 950 milionë euro për shtyrje të kredive, kjo nënkupton nga totali i portofolios kreditore 63.5 përqind.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: