Hamza merr detyrën e kryetarit të Mitrovicës: Besimi i qytetarëve i shenjtë

Hamza merr detyrën e kryetarit të Mitrovicës: Besimi i qytetarëve i shenjtë

Në një seancë solemne të mbajtur sot në Mitrovicë, ka dhënë betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, si dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës të zgjedhur në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Hamza, ka shprehur falënderimin për qytetarët e Mitrovicës për besimin e dhënë dhe në këtë kontekst ka përsëritur zotimin për angazhim maksimal në krijimin dhe avancimin e jetës së qytetarëve në këtë komunë.

Duke ju drejtuar anëtarëve të rinj të Kuvendit të Komunës, ai ka theksuar se gjatë katër viteve të ardhshme do të rrugëtojnë se bashku në të mirë të qytetarëve mitrovicas. Ai tha se do të jetë i hapur për të gjithë dhe do të bashkëpunoj me të gjithë anëtarët e KK-së, sidomos me ata që kanë në plan të parë mirëqenien e qytetarëve.

Po ashtu u zotua për bashkëpunim të afërt edhe me opozitën, në mënyrë që së bashku të hapin rrugë për perspektivë.

Ai theksoi se dita e sotme është e rëndësishme për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, ndërsa procesin zgjedhorë e quajti shembull të kulturës dhe sjelljes demokratike të mitrovicasve.

Hamza u shpreh I lumtur nëse në të ardhmen të gjithë së bashku, përtej bindjeve politike, do ta thellojnë bashkëpunimin institucional dhe politik për Mitrovicën dhe për të mirën e përgjithshme.


Sipas tij, besimi I qytetarëve është I shenjtë për të, dhe potencoi se do të mundohet që ata asnjëherë të mos t’i zhgënjejë.

“Sot është ditë e rëndësishme për komunën tonë, për ju si përfaqësues të zgjedhur dhe për të gjithë qytetarët e Mitrovicës. Jemi mbledhur sot pas një procesi zgjedhorë që ishte shembull I kulturës dhe i sjelljes demokratike të mitrovicasve, si dhe vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu[…]Jam I lumtur nëse në të ardhmen të gjithë ne përtej bindjeve politike do ta thellonim bashkëpunimin institucional dhe politik për Mitrovicën dhe për të mirën tonë të përgjithshme. Bindjet politike, përkatësitë partiake, janë vlera të diversitetit që përfaqëson Mitrovica dhe janë vlera të demokracisë sonë[…]Unë do të qeverisë në mënyrë transparente duke u koordinuar dhe bashkëpunuar me ju, sepse ju jeni zëri më I artikuluar I qytetarëve të Mitrovicës. Do të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të mbrojë me vendosmëri interesat e tyre dhe të komunës sonë[…]Besimi i qytetarëve është i shenjtë për mua dhe do të mundohem që ata asnjëherë të mos i zhgënjejë. Programi zhvillimor 2021-2025 të cilin e kam prezantuar gjatë fushatës zgjedhore është publik dhe është udhërrëfyesi im nga sot e tutje, gjatë gjithë mandatit qeverisës”, ka thënë Hamza.

Ai përmendi zhvillimin ekonomik dhe punësimin, arsimin, kulturën rininë dhe sportin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, zhvillimin urban, shërbimet publike, infrastrukturën, emergjencën etj, si shtylla kryesore të programit të tij zhvillimor, të cilat tha se do t’i realizojë gjatë mandatit të tij.

Hamza foli edhe në lidhje me banorët shqiptarë të pjesës veriore, me ç’rast premtoi vazhdimin e ndihmave dhe finalizimin e rindërtimit të të gjitha shtëpive të tyre gjatë mandatit katër vjeçar.

“Si kryetar i Mitrovicës në bashkëpunim me nivelin qendror besoj fort se brenda këtij mandati do të arrijmë që të finalizojmë rindërtimin e të gjitha shtëpive të djegura në pjesën veriore të Mitrovicës” , deklaroi Hamza.

Bedri Hamza u zgjodh kryetar në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën muajin e kaluar, ndërsa seancën e sotme solemne të KK-së, e cila përbëhet prej 35 anëtarëve, prej të cilëve 14 të PDK-së, 11 të VV-së, 6 të LDK-së, 1 të AAK-së, 1 të AKR-së, 1 të PD-së dhe 1 FED-së, e udhëhoqi anëtari më i moshuar, Fadil Veseli, i cili kryetarit të ri dhe gjithë këshilltarëve ju uroi sukses në punën e tyre gjatë katër viteve të ardhshme.

Lexo edhe

Video

error: