Hamza-Kurtit: Nëse vazhdoni kështu do të identifikoheni si qeveria e cila e ka rrit borxhin publik më së shumti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Bedri Hamza nuk pret që Qeveria Kurti të realizojë premtimet dhe projektet e paraqitura me programin qeverisës, meqë sipas tij, të njëjtat nuk janë të reflektuara në buxhet.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore, Hamza ka thënë se projektligji nuk është i duhuri dhe nuk reflekton nevojat e qytetarëve.

“Ka një diskrepeancë totale në mes të programit të qeverisë dhe të buxhetit, premtimet të cilat janë të shkruara dhe të prezantuara në programin e qeverisë i cili është diskutuar në këtë kuvend nuk janë të reflektuara në buxhet, dhe çdo premtim dhe çdo projekt të cilit i mungon konstruksioni financiar ai mbetet i parealizuar, të paktën për vitin 2021. Nuk do të ketë rritje të pagave, nuk do të ketë rritje të pensioneve, nuk do të ketë fillim të implementimit të numrit të konsiderueshëm të fondeve që janë mbi dhjetëra fonde të propozuara në programin e qeverisë dhe të prezantuara në programin e qeverisë, dhe kemi një mosreflekim të ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, tha Hamza.


Sipas tij, deficiti buxhetor ngelet në nivele të larta.

“Është tepër shqetësuese nëse vazhdon rritja e borxhit publik ashtu siç është prezantuar në këtë, dhe zoti kryeministër po ua them, nëse kështu vazhdon keni me u identifiku si qeveria e cila ka rritur borxhin publik më së shumti”, ka shtuar ai.

Hamza ka thënë se nëse rritja ekonomike vjen borxhit publik atëherë ajo nuk është e qëndrueshme dhe sipas tij qeveria duhet të jetë e kujdesshme.

“E kuptoj që buxheti përveç dokumentit profesional është edhe dokument politik, mirëpo megjithatë kam prit që në mes dy leximeve do të ketë një përmirësim, brenda mundësive reale jo me i tejkalu ato, por kjo në fakt nuk ka ndodh dhe besoj që deputetët, mbi të gjitha edhe kërkesat e komunave, që nuk ka kush përveç deputetëve me i përfaqu këto, është dashur me u marr dhe me u trajtu më seriozisht. Është parë qartë që janë bërë disa ndryshime simbolike. Janë marrë në konsideratë disa amandamente simbolike të disa deputetëve të pozitës, dhe ka pasur një marrëveshje, që nuk e shoh të keqe por është mirë me e pranu, një marrëveshje në mes të partnerëve të koalicionit, sidomos Lëvizjes Vetëvendosje, të komuniteteve jo shumicë dhe Listës Serbe”, ka thënë Hamza.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: