Hajdari: Turizmi, sektor me prioritet që sjell punësim dhe zhvillim ekonomik

Është hapur sot në Prishtinë Panairi dyditor Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2022”, i cili po konsiderohet të jetë mundësi e mirë për promovimin e fuqizimin e turizmit në Kosovë dhe Shqipëri.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari theksoi se turizmi mbetet sektori më me prioritet në MINT, sektor ky që siç tha ajo, sjell punësim, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

“Republika e Kosovës ka shumë çka për të treguar, sidomos në fushën e turizmit kulturor dhe turizmit natyror. Duke ditur se turizmi është një sektor që sjell stabilitet për shtetin tonë, është një sektor që sjell punësim, garanci për të rinjtë tanë që të kemi më shumë vende pune. Unë si ministre kam vendosur turizmin si një ndër prioritetet kyçe të ministrisë që drejtoj. Pra, turizmi është fushë që është aq sektor i gjerë dhe një zinxhirë që lidhë shumë vlera të shtetit tonë”, tha ajo.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti me këtë rast tha se panairi është një mundësi e mirë për promovimin e turizmit.

“Për dy ditë radhazi do t’i shpalosim ofertat dhe besoj që do të kemi marrëveshje bashkëpunimi në mes të akterëve të Kosovës dhe të shteteve tjera. Qëllimi kryesor është që edhe Kosova të promovohet sa më shumë, të ketë marrëveshje sa më shumë. Edhe Kosova të jetë në arenën ndërkombëtare me pakot e saj turistike”, tha Hoti.

Ndërsa, kryetari i Unionit të Turizmit në Shqipëri, Rrahman Kasa tha se turizmi është një ekonomi e fuqishme për çdo vend. Ai shtoi se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për rritjen e numrit të turistëve për fuqizimin e turizmit.


“Ne kemi nevojë për pako stimuluese me qëllim që të rrisim prurjet turistike, të rrisim numrin e turistëve për të sjellë sa më shumë të ardhura në ekonominë tonë, të fuqizojmë ekonominë tonë dhe qëllimi kryesor është rritja mirëqenies së qytetarëve dhe rritja e bizneseve tona. Të gjitha bizneset pjesëmarrëse i konsideroj si ambasadorë më të mirë të marketingut dhe promovimit të hapësirës mbarë shqiptare”, tha Kasa.

Edhe përfaqësues të kompanive turistike nga Ulqini kanë prezantuar ofertat e tyre në Prishtinë.

Kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga ka njoftuar se më 1 maj kanë hapur zezonin turistik.

Ish-kryetari i Ulqinit, Hajdinaga ka ftuar turistët kosovarë që t’i kalojnë pushimet në Ulqin dhe Shqipëri.

“Gjithë Kosova të shkojë në Shqipëri në perlën e bukur të Adriatikut, por më lejoni të them atë që e kam përdorë edhe vjet, tri ditë në Shqipëri, 7 në Ulqin, apo cilado që të jetë për fund, të dyja palët jemi të kënaqur”, tha ai.

Po ashtu edhe disa kompani nga Maqedonia e Veriut po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare për Promovim të Turizmit në Maqedoninë e Veriut Ljupço Janevski.

Në panair, i cili po mbahet në ambientet e hotelit “Grand”, po marrin pjesë gjithsej 120 kompani turistike vendore dhe ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.