Hajdari: Turizmi është prioritet kyç i yni

Institucionet e Kosovës thonë se e kanë vendosur sektorin e turizmit si përparësi duke theksuar potencialet e shumta të vendit në këtë fushë.

Deklarata u bë nga ana e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari në hapje të Panairit të Turizmit dhe Sportit sot në Prishtinë.

Në kuadër të këtij panairi u prezantuan produkte dhe oferta të ndryshme nga Kosova si dhe vendet e rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Italisë, dhe vende tjera.

“Vërtetë si Republikë e Kosovës së bashku me shtetet e rajonit kemi shumëçka për të promovuar në fushën e turizmit, në fushën e trashëgimisë kulturore dhe me potencialet që kemi malore, lumenjtë që ka Shqipëria, Mali i Zi e të tjera. Unë si ministre duke e ditur që kemi potencial për zhvillimin e sektorit të industrisë kemi vendosur turizmin si prioritet kyç të ministrisë që e drejtoj dhe është shumë me rëndësi që t’iu tregojë që së bashku me shumë akterë të turizmit me një koordinim të plotë ne po i sjellim në pah vlerat tona kulturore, sidomos trashëgiminë kulturore, të sjellim vlerat tona në pah edhe për turizmin malor, rural, por mos t’i harrojmë edhe artizanatet dhe kulturën e vjetër që populli e ka”, tha Hajdari.

Ministrja Hajdari nuk ka përmendur masat konkrete që ka ndërmarrë kjo ministri për të promovuar dhe zhvilluar sektorin e turizmit.


Kurse kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se ky panair e vendos Prishtinën në qendër të komunikimit rajonal derisa shtoi se liberalizimi i vizave do të ndikonte në krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve.

“Ky panair e vë Prishtinën në pozicion ku të gjithë ne në Kosovë synojmë ta kemi në një kryeqytet të rëndësishme të komunikimit rajonal e evropian. Ky panair sivjet po na ndihmon me praninë e bizneseve prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, e me një zgjerim të tij sivjet kemi reprezentues edhe prej Italisë…Vërtetë urojmë që liberalizimi i vizave të bëhet realitet i Kosovës sepse është interes i drejtëpërdrejtë i çdo qytetari të Kosovës, jo thjeshtë për arsye turizmi por edhe për mundësinë e shtuar që u krijon lidhjeve të reja mes bizneseve”, tha Rama.

Ndërsa Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi theksoi se aktivitetet sportive që zhvillohen në Kosovë dhe jashtë saj kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë dhe se nga këto aktivitete përfiton shumë edhe sektori i hotelerisë.

“Organizimi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare të sportit për Kosovën ka ndikim edhe benifite multidimenzionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pasur fokusin e veçantë tek turizmi që sporti ia sjellë vendit tonë. Sporti dhe turizmi lidhen ngushtë njëri me tjetrin pasi përmes aktiviteteve sportive promovojnë edhe turizmin në vendin tonë. Një nga qëllimet e Komitetit Olimpik të Kosovës por edhe federatave sportive në vend janë edhe organizimet e garave të ndryshme ndërkombëtare ku krahas sportit hoteleria do të ishte përfituesi më i madh i këtyre ngjarjeve ndërkombëtare.”, tha Krasniqi.

Në këtë panair u ekspozuan produkte nga biznese të ndryshme vendore si dhe nga vendet e rajonit. Panairi do të jetë i hapur deri më datën 6 maj. Të pranishëm në hapjen e panairit, i cili i bë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, shkëmbyen përvoja të ndryshme duke shpërfaqur mundësitë për turizëm dhe rekreacion që ofrojnë vendet përkatëse.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.