Hajdari: Gjykata Komerciale ka paraparë shumën për revizion në vlerë prej 50 mijë euro

Kuvendi i Kosovës po shqyrton projektligjin për Gjykatës Komerciale. Për të njëjtën u tha se do të funksionojë në dy nivele, në atë të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, ku do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm. Komercialja ka paraparë shumën për revizion në vlerë prej 50 mijë euro.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari si e autorizuar nga ajo e Drejtësisë, ka paraqitur projektligjin për miratimin e tij në parim.

Sipas saj, kjo gjykatë do të prodhoj nivel më të lartë të profesionalizmit dhe efikasitetit në zgjidhjen e çështjeve komerciale. Madje, siç tha ajo, do të ketë më shumë investime jashtë vendit dhe vende të reja të punës.

“Ky projektligj është i sponsorizuar nga MD dhe tutje që nga vitit 2012 ka qenë simbol i reformimit të gjyqësorit, kur ndër tjerash gjykata ekonomike është shndërruar në Departamentin për Çështje Ekonomike brenda Gjykatës Themelore. Ajo që është me rëndësi të potencohet është baza mbi të cilën tashmë departamenti shndërrohet në Gjykatën Komerciale. Dhe kjo është analiza e sistemit të sundimit të ligjit dhe praktika e sektorit privat me Departamentin për Çështje Ekonomike. Analiza e sistemit të sundimit të ligjit ka shërbyer si platformë e shqyrtimit të kornizës ligjore e institucionale në sektorin e sundimit të ligjit, ashtu që të identifikohen sfidat brenda sistemit dhe të adresohen të njëjtat përmes rekomandimeve të bazuara në analizat e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar”, ka theksuar ajo.


Ajo ka folur edhe risitë e Gjykatës Komerciale, ku theksoi se gjykata do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm, i cili do të shërbej edhe si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

“Gjykata Komerciale do të funksionoj në dy nivele, atë Themelore dhe të Apelit me qëllim të zgjidhjes së kontesteve komerciale por edhe atyre administrative që ndërlidhen me ato komerciale. Një gjë e tillë është e pashmangshme ashtu që të zgjidhen të gjitha çështjet e ndërlidhura me rastin të ndërlidhura me ato administrative dhe komerciale, me qëllim të adresimit të të gjitha nevojave të bizneseve nga një qendër e vetme. Po ashtu, gjykata do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm, i cili do të shërbej edhe si gjyqtar në panelin e Apelit. Njëkohësisht në bazë të standardeve të parapara në raportet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë mbi rolin e kryetarëve të gjykatave, kryetari do të ketë rol menaxherial por edhe do të kryej punë të gjyqtarit”, ka njoftuar Hajdari.

Më tej, ajo tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të rekrutoj gjyqtarë të ri të cilët do të shërbejnë në këtë gjykatë.  Sipas saj, do tu mundësohet bizneseve që të adresojnë çështjen edhe në një shkallë.

“Gjykata Komerciale ka paraparë shumën për revizion në vlerë prej 50 mijë euro. Përderisa një çështje e tillë në rrethe të caktuara është kritikuar vlen të përmendet që ekonomia e Kosovës bazohet në biznese mikro, të vogla dhe të mesme. Marrë parasysh këtë, vlera e revizionit nuk mund të përcaktohej përtej shumës së paraparë me këtë projektligj, e me qëllim të ushtrimit të të drejtave në mënyrë të barabartë për të gjithë. Gjykata Komerciale do të trajtoj të gjitha çështjet komerciale”, ka shtuar Hajdari.

Lexo edhe

Video