Gucatit e Haradinajt do t’iu llogaritet periudha e kaluar në paraburgim

Gucatit e Haradinajt do t’iu llogaritet periudha e kaluar në paraburgim

Para shpalljes së vendimit me nga 4.5 vjet burg për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, trupi gjykues ka thënë se të akuzuarit janë përgjegjës për vepra të rënda penale që rrezikojnë administrimin e drejtësisë dhe se ka konstatuar që të njëjtit nuk treguan shqetësim për pasojat e mundshëm të veprimeve të tyre.

Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë zbulimin e informacioneve të mbrojtura duke u dhënë në dispozicion gazetarëve dosjet që kishin arritur nga persona të panjohur në zyrat e OVL-UÇK-së.

Sipas trupit gjykues materiali në fjalë ishte autentik dhe u përkiste dokumenteve të hetimeve të TFHC-së ose ZPS-së.

Kryetari i turpit gjykues, Charles L. Smith III ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me integritetin e procesit gjyqësor.

“Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit zbuluan identitetet ose të dhënat personale të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të marrë në mbrojtje nga TFHC dhe ZPS, në të njëjtën mënyrë siç zbuluan informacionin e mbrojtur, gjithashtu të akuzuarit përmenden se në tri grupet me dokumente ishin emra, vendbanime të mëparshme dhe aktuale, numra të telefonave, përkatësi etnike, vendet ku ishin zhvilluar intervistat dhe përmbajtja e deklaratave të dëshmitarëve, ata gjithashtu ftuan gazetarët që të njeheshin me këtë informacion”, ka thënë gjykatësi.

Sipas trupit gjykues, të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt për zbulimin e informacionit të mbrojtur.


Trupi gjykues ka thënë se ka arritur në përfundim se veprat e të akuzuarve shkaktuan pasoja të rëndë për dy dëshmitarë që u zhvendosën dhe për së paku një person që u përmend publikisht si dëshmitar.

“Trupi gjykues konstaton se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve shkaktuan kërcënim të rëndë, i cili do të kishte krijuar frikë dhe shqetësime të rënda për shumë dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm. Gjithashtu, trupi gjykues është bindur se të akuzuarit e përdorën këtë kërcënim të rëndë me synimin e drejtpërdrejtë për t’i frikësuar dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm dhe për asnjë për t’i bërë të ngurronin që të jepnin informacion në hetimet lidhur me ish- anëtarët e UÇK-së. Sjellja e të akuzuarve ishte mjet që shërbente për një qëllim për të penguar hetimet dhe ndjekjet penale të efektshme të ish anëtarëve të UÇK-së nga ZPS”, ka thënë Smith.

Por, trupi gjykues nuk është bindur nga provat e ZPS-së se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin kryer veprën penale të hakmarrjes.

“Trupi gjykues thekson se pretendimet e të akuzuarve se dëshmitë e dëshmitarëve ishin të pavërteta nuk vërtetojnë në vetvete që të akuzuarit e besonin këtë gjë, sidoqoftë turpi gjykues thekson se ZPS nuk paraqiti ndonjë provë për ti kundërshtuar këto deklarata, kjo nuk vë në asnjë mënyrë në pikëpyetje besueshmërinë  e dëshmitarëve apo dëshmitarëve të mundshëm, emrat e të cilëve përmendeshin në informacionin e mbrojtur. Është barra e ZPS-së të vërtetojë se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm se informacionet e dëshmitarëve kishin të paktën në një farë mase vërtetësi, ZPS nuk arriti të vërtetonte se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm për këtë, për këtë arsye trupi gjykues konstaton se ZPS nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit vepruan me synimin e nevojshëm ndaj cilido prej dëshmitarëve të cilave i zbulonin identitetin ose të dhënat personale rrjedhimisht trupi gjykues konstaton se ZPS nuk ka arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm veprën penale të pikës 4 (hakmarrjes) në lidhje me dy të akuzuarit”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Trupi Gjykues i ka shpallur fajtor Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn duke i dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë. Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’u llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nga shtatori 2020. Arrestimi i tyre dhe hapja e procesit gjyqësor ishte bërë pasi disa dokumente kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK, nga persona ende të panjohur, ndërsa këtë ngjarje krerët e organizatës e kishin bërë të ditur përmes konferencave për shtyp.

Lexo edhe

Video