Gucati flet para trupit gjykues në Hagë: Është e drejtë e imja legjitime të mbroj vlerat e kombit tim

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati ka thënë se ndjehet i obliguar të mbrojë të drejtat e popullit të Kosovës, mbi të cilin ka theksuar se është kryer gjenocid nga ushtria e policia serbe. Ai ka bërë një deklaratë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gucati i cili tash e një vit po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ka hënë se do t’i mbrojë vlerat e UÇK-së dhe gjithë popullit të Kosovës, për çka ka thënë se janë të gjitha vlera njerëzore.

“Vetëm gjatë marsit, prillit, majit e qershorit të vitit ’99 mbi popullin tonë janë kryer mbi 450 masakra e krime të gjenocidit serb, pa i përmendur ato të viteve ’90. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë mbi 1400 fëmijë e janë dhunuar mbi 20 mijë femra, janë vrarë mijëra pleq të mbetur e të palëvizshëm që nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë e tyre, as sot e kësaj ditë nuk dimë për fatin e mbi 1600 njerëzve pa folur për shkatërrimet e shumta që makineria ushtarake policore serbe ja ka shkaktuar vendit e kombit tim. Prandaj, është e drejtë e imja legjitime që t’i mbrojë të drejtat e vlerat e kombit tim, të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së shtetit tim, të Kosovës, dhe këto vlera janë gjithnjë njerëzore. Unë jam i obliguar që t’i mbroj të drejtat e liritë e popullit tim, për një jetë më të mirë, më të begatë sit ë gjithë popujt e kontinentit tonë”, ka thënë Gucati para trupit gjykues.

Ai ka thënë se në Hagë po mbahen pa të drejtë dhe se janë të pafajshëm.


“Në vitet ’97-98 së bashku me babain tim i jemi bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i mbrojtur të drejtat më elementare të njeriut bashkëkohor siç janë liria dhe e drejta për jetë të lirë e të dinjitetshme në vatrat tona. Në luftimet e qershorit të vitit ’99 në kohën e bombardimeve të NATO-s unë jam plagosur nga forcat serbe paraushtarake e policore të Serbisë, si pasojë e asaj plagosje sot jam invalid dhe nuk mund të ecë si gjithë njerëzit e tjerë. Ne si popull më i vjetër në Ballkan dhe  i Evropës nuk e kemi pushtuar Serbinë, përkundrazi populli dhe vendi ynë ka qenë i pushtuar nga Serbia qysh në prag të luftës së parë botërore, këtu ku jemi me të padrejtë që më shumë se një vit jemi krejt të pafajshëm”, ka thënë Gucati.

Hysni Gucati po qëndron në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestua në Prishtinë.

Ai bashkë me Nasim Haradinajn akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Këtë ngjarje ata e kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. /G.Kadrija

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: