Gucati e Haradinaj dënohen me nga 4.5 vite burg, të pafajshëm për vetëm një pikë të aktakuzës

Trupi Gjykues në krye me Charles L. Smtih III i ka shpallur fajtor Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn duke i dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë. Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar për pengim të personave zyrtarë nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’u llogaritet periudha e kaluar deri tani në paraburgim ku po qëndrojnë prej shtatorit të vitit 2020.

Në seancën e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka thënë se përgjegjësia penale e të akuzuarit nuk mund të përjashtohet mbi bazën e elementit të interesit publik.

“Trupi gjykues ju dënon me një dënim prej katër vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe një gjobë prej 100 eurosh, e cila duhet të paguhet deri më 18 korrik 2022”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Gjykatësi ka thënë se të akuzuarit janë përgjegjës për veprat penale të cilat rrezikojnë administrimin e duhur të drejtësisë.

“Trupi gjykues ju dënon me një dënim prej 4 vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe me një gjobë prej 100 euro e cila duhet të paguhet deri më 18 korrik 2022”, ka thënë gjykatësi derisa e ka lexuar vendimin.

Trupi gjykues i ka shpallur fajtor ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të akuzat e njëjta që lidhen me pengim të personave zyrtar dhe zbulim të të dhënave të dëshmitarëve të mbrojtur.

“Ju shpall ju zotëri Gucati fajtor për pikën 1: pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë sipas neneve 15 paragrafi 2 dhe 16 paragrafi 3 të ligjit dhe neneve 17,31 dhe 401 paragrafi 1 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës; 2: pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes dhe veprimit të përbashkët të një grupi sipas neve 15, paragrafi 2 dhe 16 paragrafi 3 të ligjit dhe neve, 17 dhe 401 paragrafi 2 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës; pika 3: frikësim gjatë procedurës penale sipas neve 15 paragrafi 2 dhe 16 paragrafi 3 të ligjit dhe neve 17 dhe 31 dhe 387 të Kodit Penal të Kosovës”, e ka lexuar vendimin gjykatësi.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë shpallur të pafajshëm për vetëm një pikë të aktakuzës, atë të hakmarrjes.

“Pika5: shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedurat zyrtare sipas neve 15 paragrafi 2 dhe 16 paragrafi 3 të ligjit dhe neneve 17,31 dhe 392 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovë; dhe pika 6: shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personave të dëshmitarëve të mbrojtur sipas neneve 15 paragrafi 2 dhe 16 paragrafi 3 të ligjit dhe neve 17, 31, 392 paragrafit 2 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës. Trupi gjykues ju shpall të pafajshëm për pikën 4 hakmarrje”, ka thënë gjykatësi Smith.

Gjykatësi ka thënë se të akuzuarit nuk kanë ofruar arsye objektive, as në kohë ne deklaratave dhe as gjatë dëshmive të tyre në gjykim, për të besuar se ata janë shtyrë për të kryer veprat.


“Për sa i përket interesit publik trupi gjykues konstaton se nuk ka arsye të besueshme për të nxjerrë përfundim se informacioni i mbrojtur i zbuluar nga të akuzuarit përmbante të dhëna për parregullsi të kryera nga TFHC dhe ZPS ose që veprimet e të akuzuarve ishin të arsyetuara pasi që ata udhëhiqeshin nga interesi i pretenduar publik. Trupi gjykues konstaton se asnjë nga të akuzuarit nuk mund të konsiderohet si sinjalizues”, ka thënë gjykatësi.

Trupi gjykues ka vlerësuar se të arrestuarit e dinin se sjellja e tyre ishte ligjërisht e ndaluar.

Ndërsa si faktor lehtësues trupi gjykues e ka konsideruar situatën shëndetësore dhe familjare të personave të akuzuar.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020.

Arrestimi i tyre dhe hapja e procesit gjyqësor ishte bërë pasi disa dokumente kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK, nga persona ende të panjohur, ndërsa këtë ngjarje krerët e organizatës e kishin bërë të ditur përmes konferencave për shtyp.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, të cilat sipas ZPS-së janë shpërndarë nga Gucati e Haradinaj, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Në këtë proces gjyqësor kundër Gucatit e Haradinajt kanë dëshmuar katër punonjës të zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Si prova kryesore prokuroria ka paraqitur video incizime nga konferencat e mbajtura në OVL-UÇK dhe nga intervistat që krerët e organizatës kishin dhënë nëpër studio televizive.

Ndërsa nga ana e mbrojtjes kanë dëshmuar dhjetë dëshmitarë ndër të cilët gazetarë, ish-drejtori i policisë së Kosovës Rashit Qalaj, ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe një eksperte e sinjalizimit.

E numri i dëshmive me shkrim nga ana e mbrojtjes ka qenë 18.

Qysh në fillim të procesit, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ishin deklaruar të pafajshëm duke thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore veçse kanë informuar publikun për veprimet e Gjykatës Speciale.

Ata kanë thënë se kundërshtimi i tyre për gjykatën është sepse tyre e njëjta nuk po ndjek krimet serbe të kryera në Kosovë.

Lexo edhe

Video