Grupet parlamentare dënojnë agresionin rus, Lista Serbe kërkon përmbajtje

Grupet parlamentare dënojnë agresionin rus, Lista Serbe kërkon përmbajtje

Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, përveç Listës Serbe, e cila kërkoi nga Kuvendi që të jenë të përmbajtur në deklarimet e tyre sa i përket situatës në Ukrainë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në seancën e sotme parlamentare ku u votua rezoluta që dënon agresionin rus, tha se me këtë rezolutë Kosova e rreshton veten krahas demokracive të mëdha.

Abdixhiku theksoi se tash e tetë ditë siguria e Evropës është në rrezik, pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

“Në Ukrainë tash e tetë ditë po mbrohen jo vetëm themelet e parruara të një shteti, jo vetëm e drejta e një populli për të përcaktuar fatin e vet larg shtypjes. Në Ukrainë tash e tetë ditë po mbrohen të gjitha vlerat njerëzore, të lirisë, paqes dhe të së drejtës, vlera me të cilat, vendi rendi ynë shoqëror është i lidhur ngushtë edhe Kosova. Përballë një agresioni të pa precedent të Evropë që nga luftërat e ish-Jugosllavisë, pati një reagim të unifikuar në masë e të zëshëm të gjithë botës demokratike. Asnjë ngjarje e më parme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk ka arritur që të bashkojë kaq shpejt, kaq zëshëm e kaq qartë botën demokratike. Ky bashkim solli sanksione, ekonomike, politike, kulturore e sportive… Kosova natyrshëm dhe me të drejtë u rreshtua me botën demokratike. Si vend i vogël s’mund të ndikojnë në ngjarje me përmasa kaq të mëdha, ndonëse ato na ndikojnë. Por, sepse jemi pikërisht të vogël ky rreshtim i yni edhe më shumë ka kuptim, si simbolikë por edhe si akt. Ky rreshtim i jep kuptim vendit tone, Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se janë bërë më shumë se një javë që kur bota demokratike është dëshmitare e një sulmi barbar të Rusisë kundër popullit të Ukrainës. 


“Po bëhen më shumë se një javë që kur kontinenti evropian dhe bota demokratike janë dëshmitarë të një sulmi barbar të Federatës Ruse kundër një kombi të lirë, një vendi të lirë, Ukrainës, kundër një shteti sovran. Është tragjike dhe shkatërrimtare që ka ende vende dhe regjime për të cilët ndërgjegjja dhe dinjiteti njerëzor është vetëm si nocion abstrakt”, tha ai.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe Igor Simiq ka ftuar deputetët të tregohen të përmbajtur në deklarimet e tyre dhe rezolutës për Ukrainën.

“I bëj thirrje Kryesisë së Listës Serbe të të gjithë deputetëve dhe popullit serb që ne përfaqësojmë në këtë Kuvend, të gjithë të jenë të përmbajtur me deklaratat e tyre që askush me asnjë fjalë nuk e kërcënon paqen e brishtë që u ndërtua në këtë zonë, dhe ende po ndërtohet, ndaj dua të theksoj edhe një herë se Serbia dhe populli serb janë kundër konflikteve kudo, sidomos jo mes popujve vëllazërorë. Ne jemi kundër çdo gjëje që çon në vuajtjen e njerëzve të pafajshëm pa dallim feje, kombi, religjioni, gjuhe dhe edhe një herë u bëj thirrje të gjithë përgjegjësve që janë drejtues të situatës që të mos e nxisin situatën me deklarata të pa përgjegjshme dhe për të dhënë maksimumin që me sjellje të përgjegjshme politike të mençur ta ruajnë paqen”, tha ai.

Enis Kervan nga grupi parlamentar multietnik derisa ka dënuar invazionin rus në Ukrainë, ka kërkuar pranim të refugjatëve dhe anëtarësim sa më parë në NATO e BE.

“Ne shprehim vullnetin e plotë në mbështetje të Ukrainës, popullit ukrainas, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Si grup parlamentar gjithashtu dënojmë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe kërkojmë nga qeveria që të ofrojë ndihmë humanitare mjekësore si dhe të pranoj refugjatët nga Ukraina”, tha Kervan.

Kuvendi me 94 vota ka votuar rezolutën që dënon agresionin ushtarak rus në Ukrainë, por që në këtë votim nuk morën pjesë deputetët e Listës Serbe.

Lexo edhe

Video