Greva në KEK, punëtorët kërkojnë rritje të pagave

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të hënën kanë mbajtur grevë njëorëshe për ngritjen e pagave për të gjithë punëmarrësit e kësaj ndërmarrje.

Greva do të vazhdojë çdo ditë në të gjitha divizionet e KEK-ut deri të premten prej orës 07:00 deri në orën 08:00. Përjashtim nga kjo protestë bëjnë vetëm punëtorët që janë të kyçur drejtpërdrejtë në prodhim të blloqeve në Termocentrale.

Punëtoret e kësaj korporate kanë thënë për KosovaPress, se nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre, javën tjetër do të hynë në grevë tetë orëshe.

Sipas tyre, derisa ka rritje të energjisë elektrike, duhet të ketë edhe rritje të pagave për këtë sektor.

Kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica, arsyetoi kërkesën për rritjen e pagave bazuar në inflacionin që po ndodhë në vend.

Sipas tij, nuk është e arsyeshme që kur institucionet kanë nevojë për këta punëtor t’i quajnë hero, por sic thotë ai e nevojshme është rritja e pagave.

“Greva e sotme është vazhdimësi e protestës së 16 marsit për ngritjen e pagave. E vetmja kërkesë e jona është ngritja e pagave, sepse këtu ka një performancë të jashtëzakonshme KEK-u, ka një prodhim maksimal, ka një angazhim të punëtorëve duke u bazuar që ka mungesë të madhe të tyre… Ka angazhim të jashtëzakonshëm dhe punëtorët normalisht se e kërkojnë edhe rritjen e pagave duke u bazuar në inflacionin…Në gjithë Kosovën ka ndodhë rritja e pagave, por nuk ka ndodhë edhe në KEK. Dhe kur kanë nevojë për këta punëtorë, gjithë Kosova ngrihen në këmbë t’i quajnë heronj, por nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi nevojë për rritje të pagave”, tha Llumnica.


Llumnica tha se është e padrejtë të rritet vetëm çmimi i shërbimit të rrymës, por jo edhe i prodhimit.

Kryetari i Shoqatës Sindikale në “Kosova B”, Muharrem Gashi tha për Kosovapress se po punojnë si në perëndim, mirëpo po paguhen si në Afrikë, pasi që sipas tij punëtorët në KEK paguhen me pagat ta ulëta. Ai thotë se nëse nuk plotësohen kërkesat, greva vazhdon javën tjetër prej tetë orësh në ditë.  

Gashi ka thënë se përderisa po rritet çmimi i rrymës, duhet të rriten edhe pagat.

Edhe Bekim Osmani që punon qe 24 vjet në KEK ka thënë se paga aktuale nuk përshtatet me inflacionin që po mbizotëron në vend.

Ndërkaq, punëtori i mbështetjes afariste tek Termo Centrali “Kosova B”, Mustafë Murseli tha se rrogat nuk janë solide, dhe sipas tij, greva duhet të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për ngritjen e pagave.

Ndërkaq, Bordi i KEK-ut ka njoftuar se duke pasur tërë mirëkuptimin për kërkesat e punëtorëve, pas përfundimit të auditimit dhe certifikimit të pasqyrave financiare në fund të muajit prill të këtij viti, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut, do të shqyrtojë kërkesën e sindikatave se sa do të ketë mundësi që të përfitojnë punonjësit e KEK-ut.

Mirëpo, siç njofton Bordi i KEK-ut, paga mesatare në KEK Sh.a është mbi pagën mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë.  Po ashtu të gjithë punonjësit e KEK-ut, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor, transporti, pagesa shtesë për përvojën e punës si dhe pagesa për shujta

“KEK në vazhdimësi ka shqyrtuar kërkesat dhe shqetësimet e punonjësve lidhur me pagat në ndërmarrje dhe gjithnjë do të jetë i hapur për dialog me punëtorët dhe sindikatat. Sidoqoftë, duhet theksuar se paga mesatare në KEK Sh.a është mbi pagën mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë.  Po ashtu të gjithë punonjësit e KEK-ut, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor, transporti, pagesa shtesë për përvojën e punës si dhe pagesa për shujta”, thuhet në njoftim. /E. Krasniqi

Lexo edhe

Video