Gratë serbe në Mitrovicë protestuan kundër “getos së Kurtit”

Gratë serbe nga komunat veriore të vendit dhe më gjerë, kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës kundër vendimeve të fundit të qeverisë së Kosovës.

Protestueset përveç flamujve të Serbisë, në duar mbanin pankarta të ndryshme ndërkohë që dominonte ajo me mbishkrimin “Nënat e Kosovës kundër getos së Kurtit”.

Gordana Saviq, ish këshilltare e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, tha se janë mbledhur sot këtu për ti thënë mjaft terrorit të Kurtit. Ajo theksoi se nuk është e drejtë që mjekët të arrestohen vetëm se kanë dashur ti ndihmojnë qytetarët me vaksina.

“Ja ku jemi sot këtu, falënderoj Zotin në numër të madh, të themi mjaft më terrorit të Kurtit dhe se nuk do ta durojmë më terrorin e tij. A është humane kur mjekët tanë i kërcënojnë se do ti arrestojnë, sepse kanë dashur të realizojnë vaksinimin në hapësirat tona për të shpëtuar sa më shumë jetë nga Covid”, ka thënë Saviq.

Svetllana Radosavljeviq, mësuese nga Leshaku, tha se janë mbledhur sot për të dëshmuar sa të guximshme janë.


Ajo vendimet e kryeministrit Kurti i ka quajtur turp i shekullit 21.

“Jemi mbledhur sot këtu jo për të dëshmuar se jemi humane, por të dëshmojmë sa të guximshme jemi, të dëshmojmë se si gjithë këto vite jemi lutur, se si netë të tëra kemi kaluar në ankth duke pritur ditë të reja, të tregojmë se ndalja e orës (kohës) nga Kurti është diçka shumë e keqe. Atij më nuk po i konvenon që të bëhet diçka deri në vitin tjetër apo të pres muaj, por po llogaritë me orë. Ky është turp për shekullin 21”, theksoi Radosavljeviq.

Në këtë tubim ka folur edhe studentja Jovana Shmigiq, e cila mes tjerash ka thënë se ne duam të qëndrojmë aty ku janërrënjët tona.

“Po i drejtohem Evropës, botës dhe komunitetit ndërkombëtar, i drejtohem të gjitha studenteve dhe kolegeve të mia në universitete të Evropës dhe botës. Dua t’ju pyes, a e dini sa e vështirë dhe shqetësuese është të shkosh në ligjërata e frikësuar se mos dikush do t’i ndërpresë? A e dini sa e vështirë është të studiojmë me zhurmën e sirenave, të studiojmë nga frika se forcat speciale të ROSU-s do të na ndërpresin studimet, duke e ditur se na kanë në shënjestër çdo ditë. Të gjithë fëmijët kanë të drejtën e arsimimit dhe të drejtën për një të ardhme. Dhe ndërsa kolegët tanë në mbarë botën po mendojnë për karrierën e tyre, ne jemi të detyruar të mendojmë se si t’i mbrojmë të drejtat tona themelore të njeriut. A jemi fajtorë vetëm sepse studiojmë në një universitet serb? A nuk kemi të drejtë për arsimim? Ne jemi thjesht studentë që duam paqe, nuk shqetësojmë askënd dhe nuk ia dëshirojmë të keqen askujt. Pse atëherë përfaqësuesit e këtij shteti të vetëshpallur bëjnë gjithçka për të shkatërruar atë që kemi? Ky është një qytet universitar, i cili ka arsimuar shumë njerëz të suksesshëm dhe ne po kërkojmë vetëm arsimim për ne dhe për të gjithë brezat e ardhshëm të fëmijëve që rriten këtu, dhe të ardhmen e tyre e shohin këtu. Këta fëmijë rriten me frikën se agresioni që vazhdon prej vitesh nuk do të ndalet. Ne duhet të jemi të barabartë me ju. Ne duam të qëndrojmë aty ku janë rrënjët tona, që dija të na udhëheqë në jetë dhe demokracia të ruajë paqen dhe të ardhmen tone”, ka thënë Shmigiq.

Protesta ka zgjatur rreth gjysmë ore dhe është zhvilluar e qetë, ndërsa është vëzhguar nga afër prej forcave të shtuara të policisë së Kosovës nga jugu dhe pjesëtarëve të Eulex-it.

Ndryshe, kryetari i Listës serbe Goran Rakiq, gjatë një konference të jashtëzakonshme të kësaj partie të mbajtur dje në veri të Mitrovicës, ka paralajmëruar për ditët në vijim protesta të serbëve në të gjitha institucionet, si në shkolla, spitale, miniera etj.  /A. Damati/

Lexo edhe

Video