Gramoz Ruçi tërhiqet nga politika

Gramoz Ruçi tërhiqet nga politika

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi sot gjatë fjalës në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS në 30-vjetorin e themelimit, se tërhiqet nga të gjitha funksionet politike.

Ai tha se nuk ka momenti më të mirë për ta bërë këtë sesa 30-vjetori i PS-së, kur kjo forcë politike tashmë ka ftuar mandatin e tretë qeverisës radhazi.

“Tani unë zgjodha sot, se s’ka më mirë se 30-vjetori, që sot që kemi fituar mandatin e tretë, dhe që pas disa muajsh bëj 70 vjeç, se në 9 shtator nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS dhe qytetarët dhe s’do kem ambicie për asnjë post politik. Falënderoj më zemër çdo socialist. Sa të më punojë mendja dhe zemra do ngelem me ju”, u shpreh Ruçi.

Ruçi ka qenë kryetar i Kuvendit në legjislaturën e fundit. Ai ka qenë sekretar i Përgjithshëm i PS-së që prej vitit 2005.

Ndërkaq, në nisjen e fjalës së tij në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, Ruçi kërkoi 1 minutë heshtje për 25 deputetë e PS-së ndër vite që nuk jetojnë më.

“Për të nderuar jetën dhe kontributin e mikut tonë të shtrenjtë Bashkim Finos do të ftoja të gjithë të pranishmit për të nderuar meqë kemi 30-vjetorin e PS-së, jo pak po 25 ish-deputetë të këtyre 30 viteve që janë ndarë nga ne”, tha ai.

Ruçi u shpreh se edhe pse nuk është person që emocionohet kollaj, u emocionua nga dokumentari i përgatitur për 30-vjetorin e PS-së.


“Nuk jam këtu për të mbajtur ndonjë fjalim, as të flas për historikun 30-vjeçar të PS-së, por dola për të marrë fjalën dhe për të thënë ashtu sikurse kolegët e mi që unë kam pasur fatin të bashkëpunoj 30 vite, më përshkruan emocionet e tyre nëpërmjet këtij dokumentari. Për efekt komunikimi 30-vjetorin do ta ndaja në dy periudha. Periudhën e parë ’91-2005 dhe periudhën e dytë 2005-2021. Nuk po them asnjë impresion për ato tre ditë e tre netë sesi u themelua, dhe si u programua, ideua dhe sesi u miratua familja jonë politike. Ajo që do të thoja, menjëherë sapo u krijuam dhe gjatë kësaj periudhe të parë ’91-2005 ne u identifikuam si forca politike e sistemit që lamë pas. E dyta, megjithëse siç thoshte Dritëroi ynë i madh, që i gjithë spektri politik shqiptar doli nga mitra e PPSH-së, ne u anatemuam si vetë PP, po nuk mjaftonte kaq. Të ishe socialiste nuk ishte e modës”, vijoi Ruçi.

“Flitej për liri fjale por vetëm liri fjale nuk kishte. Flitej për shtet ligjor por vetëm ligj për socialistët s’kishte, kishte vetëm maliq. Flitej në atë kohë për ekonomi tregu por vetëm ekonomi tregu nuk kishte, flitej për shtet të së drejtës po vetëm të drejta për socialistët nuk kishte. Rrahje, persekutime, barbarizma, ndëshkime, arrestime e cila arriti dhe në burgosjen e liderit tonë të asaj kohe, Fatos Nanos. Prandaj kanë qenë ditë dhe vite tepër të vështira. Unë meqë jam ende aktiv në jetën politike të PS-së, do të përshëndesja 15 anëtarët e parë të kryesisë së PS-së, tre nënkryetarët e parë Servet Pëllumbin, Ismail Lleshin, dhe Spiro Deden. Do të përshëndesja sigurisht shumë figura të spikatura akademike të cila në katërvjeçarin e parë janë marrë me programin e PS-së, Shkëlqim Cani, Ermelinda Meksi, Zabit Brokaj, Anastas Angjeli, Maqo Lakrori etj”, tha ai.

Ruçi përshëndeti grupin e parë të deputetëve të PS-së, dhe ish-kryeministrin Fatos Nano.

“I dashur Fatos, ne jemi krenarë për ty për shumë gjëra, pasi shumëkush nga ne dhe kundërshtarët e tu i thotë vetes politikan, por askush as nga ne as nga kundërshtarët e tu nuk thotë dot se ti Fatos Nano nuk je politikan. Ne e kemi për nder që ke qenë kryetar për 14 vite, pasi kushdo nga ne dhe kundërshtarët e tu i thotë vetes intelektual, po askush as nga ne as nga kundërshtarët nuk thotë dot që ti Fatos Nano nuk je intelektual”, tha Ruçi.

Ai kujtoi sesi në ’97, PS mori pushtetin. “Por çfarë e do, kishte rënë shteti dhe brenda dy mandatesh ne ngritëm shtetin, vumë në binarë ekonominë e tregut, shtetin e së drejtës, shtetin ligjor. Pranuam PS në Internacionalen Socialiste, e mbi të gjitha përballuam luftën e Kosovës që sot gëzon statusin Republika e Kosovës”, kujtoi Ruçi.

“Për herë të parë dhe në mënyrë tejet të civilizuar në 2005 u pranua humbja dhe u dha dorëheqja e Fatos Nanos. Këtë e bën vetëm një lidership dhe një parti e civilizuar dhe e emancipuar”, tha ai, duke i kujtuar Nanos, se “katër vite vjet burg i bëre për të vetmin faj se ishe kryetar i PS-së”. /ATSH/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: