Grabitje në një bankomat në Prishtinë, plagoset një polic

Grabitje në një bankomat në Prishtinë, plagoset një polic

Një grabitje ka ndodhur në një bankomat në një nga qendrat tregtare në lagjen Veternik në Prishtinë.

Aty është plagosur një polic. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai tha se personat e dyshuar për t’i ikur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri ku mbeti i plagosur polici.

Borovci thotë se polici është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.


“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.  Me të marrë informatën policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe për pasojë  kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tregoi Borovci për KosovaPress.

Aktualisht  policia është në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar  me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Kujtojmë që kohë më parë po në të njëjtën orë kishte ndodhur një grabitje në bankën BKT që gjendet në Rrugën “B” në Prishtinë.

Në këtë rast grabitësit kishin përdorur eksploziv, e ku gjatë ikjes kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rojës, fatmirësisht ai nuk ishte lënduar.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: