Gjykimi në rastin e Salih Mustafës, dëshmitari: Nuk dua të përmend emrin e të akuzuarit asnjëherë

Po vazhdon gjykimi në rastin e Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po dëgjohet dëshmitari i parë i cili është pyetur sot nga prokurori rreth objektit se ku pretendon të jetë mbajtur me urdhër të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Fillimisht dëshmitari ka deklaruar se kur ai dhe personat e tjerë, të cilët thotë se janë mbajtur në një objekt në Zllashë, janë liruar nga aty, ai ka qenë i përqendruar vetëm te largimi nga aty dhe nuk ka arritur të shikojë se ku ndodhet apo të identifikojë objektet përreth.

Prokurori Cezary Michalczuk i ka treguar disa fotografi dëshmitarit ku ai më parë kishte shënjuar objektin në të cilin pretendon se ka qëndruar.

“Kur kam dalë prej aty kam parë shumë njerëz, në oborr jashtë edhe më veç kemi këqyr me ikë kah kemi mundur, kemi pas frikë se po na kthejnë brenda po na mbajnë, as nuk kam këqyr shtëpi as nuk më ka interesuar kurrgjë hiç, veç më ka interesua jeta ime qysh me shpëtua…Ka qenë gjendje lufte, askujt nuk i ka interesuar për askënd dhe secili ka këqyr për vete sa më shpejtë me ikë, me u fsheh, se atë ditë që kemi dalë ka qenë ofensiva”, ka deklaruar dëshmitari.

Prokurori ka thënë se dëshmitari në vitin 2006 në një deklaratë për UNMIK-un dhe pastaj në deklaratat të tjera dhënë prokurorit në vitin 2019 dhe 2021 kishte shënjuar ndërtesën që sipas tij ka qëndruar.

E kuptoj, por njëkohësisht edhe sot, edhe në vitin 2006 kur ja kë dhënë deklaratën UNMIK-ut, por edhe në vitin 2019 kur i ke dhënë deklaratë prokurorit, por edhe në vitin 2021 më herët këtë vit kur ke dhënë tjetër deklaratë, ti ke thënë se kjo ishte ndërtesa ku të kanë mbajtur dhe ne duam të dimë nga e di ti që kjo ishte ndërtesa ku të kanë mbajtur”, ka pyetur prokurori.

Siç ka deklaruar dëshmitari, ai ka arritur të shoh pak përreth.

“Normal e di, se unë nuk kam këqyr krejt por kam këqyr pak që me ditë ku kam qenë”, ka thënë dëshmitari.

Në këtë seancë, prokurori i ka treguar një skicë dëshmitarit, që gjithashtu nuk ishte e hapur për publikun, në të cilën u tha se dëshmitari kishte shkruar emrin e personit që e ka mbajtur, që sipas tij është i akuzuari.

Prokurori Michalczuk: “Dua që tani të flasim për pjesën tjetër të këtij vizatimi, çfarë emri ka në të majtë të këtij vizatimi?

Dëshmitari: Valla s’po di, s’po më kujtohet fort.

Michalczuk: Ky vizatim ka disa gjëra aty brenda kështu që shiko majtas në vizatim, pjesën e poshtme, qoshen poshtë, çfarë emri ke shkruar ti aty, cili është emri?

Dëshmitari: Nuk po mundem me kuptua.

Michalczuk: Mbase nuk të kujtohet por vizatimi është i yti por në pjesën e poshtme poshtë majtas ke shkruar një emër, a e lexon atë emër aty, cili është ai emër?

Dëshmitari: Ky është emri i të akuzuarit, emrin e di, por nuk mundem me ja përmend as nuk dua me ja përmend në jetë.

Ndërsa prokurori ka thënë se në skicën e bërë nga dëshmitari është shënuar emri i Fatmir Sopit dhe i të akuzuarit.

“Këtë vizatim e ke ndarë në dysh, nga ana e djathtë ke shkruar aty Fatmir Sopi dhe në anën tjetër siç e the është emri i të akuzuarit”, ka thënë prokurori.

Dëshmitari ka thënë se ka lëndime në kokë e në duar për çka tha se edhe është operuar, andaj sipas tij, ai nuk mund të punojë dhe kërkoi dëmshpërblim nga gjykata.

“Jam i lënduar në tre vende. Nuk mundem me punua asgjë në jetë, edhe nga kjo gjykatë kërkoj dëmshpërblim, kam nevojë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, prokurori ka pyetur dëshmitarin edhe për “Skifterët”.

Prokurori Michalczuk: “Fjala ‘Skifterët çka do të thotë për ty, e kupton ti çka do të thotë fjala skifterët?”, ka pyetur prokurori.

Dëshmitari: Nuk e di veç e kam dëgjuar si fjalë, skifterët kush janë nuk e di.


Prokurori Michalczuk: Fjala skifterët a lidhet me të akuzuarin, ka ndonjë lidhje mes tyre?

Dëshmitari: Normal ata janë, kanë qenë skifterët.

Prokurori Michalczuk: E kuptoj që ka qenë i akuzuari me skifterët por çka di ti për skifterët?

Dëshmitari: Unë në atë kohë as që e kam ditë, më vonë kam dëgjuar duke përmend që ata kanë qenë skifterët…Në atë vendin që jam trajtuar ata më vonë e kam kuptuar që i kanë quajt skifterë, dhe sot nuk e di çka janë skifterët.

Prokurori Michalczuk: Ti the që ata ishin skifterët, e ke fjalën për ata njerëzit në Zllashë, ku të mbanin ty, për ata po flet?

Dëshmitari: Po.

Prokurori Michalczuk: Këta skifterët, nëse e di sigurisht, a ishin të ndonjë njësiti?

Dëshmitari: Nuk e di çka kanë qenë ata.

Gjatë seancës së sotme prokurori ka nxjerrë fotografinë e objektit në Zllashë në të cilin prokuroria pretendon se janë mbajtur personat.

“Po ma merr mendja është vendi ku më kanë trajtua, aty poshtë në bodrum”, ka thënë dëshmitari kur ka parë fotografinë.

Ndërsa prokuroi ka kërkuar që dëshmitari të specifikojë ndërtesën ku pretendon se është mbajtur meqë në fotografi shiheshin tri objekte.

“Është ai vendi në Zllashë ku të kanë mbajt, këtë po thua? A mund të thuash gjykatës se cilën nga këto ndërtesa, sepse ka tre ndërtesa siç e sheh, a i thua gjykatës në cilën prej këtyre ndërtesave të kanë mbajtur”, ka thënë prokurori.

Ndërsa dëshmitari ka thënë se është mbajtur në një ndërtesë dykatëshe, në bodrumin e saj.

“Në atë që po shihet dy kate që është, e ka bodrumin poshtë, unë kam qëndruar në bodrum gjatë kohës”, ka thënë ai.

Gjatë seancës së djeshme kur ishte dita e parë e dëshmitarit para trupit gjykues, i njëjti kishte thënë se në objektin ku pretendon se është mbajtur, sipër dëgjohej zhurmë që sipas tij ishte e personave të tjerë që po rriheshin.

Përmes fotografive, dëshmitari është pyetur sot edhe për këtë ndërtesë.

“Me fol drejt, besoj që ai vendi lartë është, i ka pasur sytë e mbyllur nuk kam mundur me pa kurrgjë, por me siguri ai është lart”, ka thënë dëshmitari.

Seanca e sotme ka vijuar e mbyllur për disa pjesë, përfshirë edhe fjalimin e të akuzuarit, Salih Mustafa i cili në fillim të seancës e kërkoi fjalën dhe deklaroi se ka kohë që është në stres.

E në kohën kur filloi të numërojë faktorët që sipas tij po i shkaktojnë stres, seanca u mbyll për publikun.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.