Gjykimi i Salih Mustafë, dëshmitari i tretë thotë se është maltretuar 18 ditë në Zllashë

Gjykimi i Salih Mustafë, dëshmitari i tretë thotë se është maltretuar 18 ditë në Zllashë

Dëshmitari i tretë në rastin e Salih Mustafës ka thënë se në Zllashë është mbajtur 18 ditë, ku sipas tij është rrahur e maltretuar vazhdimisht.

Nën masa mbrojtëse të sigurisë, ai i është përgjigjur në pyetje përfaqësueses së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Silvia D’Ascoli në seancën e sotme gjyqësore ku ka thënë se është rrahur nga katër apo pesë persona.

“Aty kam ndejt 17 netë, 18-n ditë jam liruar prej atij vendi, aty ka ndodh çdo ditë lloj-lloj torturash, kemi ndejt aty dhe kemi ndejt duke prit kush po vjen me të rreh, me të marrë me të dërgu në ahur dhe me të rreh, sa më kujtohet[…]Na kanë rrahur shkelma, boksa, stupca, shufra ka pasur diçka të hekurt, na kanë djeg me qiri ta mbanin qirin në shpinë, të djegshin në lloj-lloj mënyre, me rrymë, e kanë pasur një si kuti me rrymë t’i lidhnin këmbët, ka pasur lloj-lloj torturë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa prokurorja e ka pyetur dëshmitarin nëse është abuzuar seksualisht por një gjë të tillë ai e ka mohuar.

Ai ka thënë se është rrahur pothuajse çdo ditë, nga katër apo pesë persona, emrat dhe pseudonimet e të cilëve pretendon se i mban mend.

Ka thënë se është rrahur pothuajse çdo ditë.

“Sa e mbaj mend ka qenë një pseudonim Tabuti, ka qenë Vela, një Afrimi, një tjetër me emër Dardan, një Fatmiri berberi i thonin në atë kohë, ka qenë një Bini. Këta janë kanë torturuesit që më kanë mbet në krye, këta janë kanë maltretuesit që kanë ekzistuar aty më të mëdhenjtë, ka pasur edhe të tjerë Avnia, Bujari, por nuk kemi pasur keqtrajtime prej tyre, keqtrajtimet kanë qenë nga këta që i përmenda”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, të njëjtit në rroba kanë pasur mbishkrimin BIA.

Gjatë seancës së sotme, dëshmitari është pyetur për kushtet të cilat i ka pasur në objektin ku pretendon të jetë mbajtur për 18 ditë.

Dëshmitari: Kushtet e gjumit në tokë, kemi pasur nëse nuk gaboj tri qebe, ka pasur pak kashtë aty këtu dhe në tokë, dhe, ka ndodh ato qebe ja kemi dhënë njëri tjetrit për me u mbulu kapak që kanë qenë më keq, në tokë në dhe e lagështi, këto kanë qenë disa kushte çka mundem me i mbajt mend.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A mund të laheshit gjatë atyre ditëve që ju kanë mbajtur në ahur?

Dëshmitari: Jo, ujë me pi nuk na kanë dhënë lerë më me u la.

Prokurorja Silvia D’Ascoli : Po me shku në toalet?

Dëshmitari: Për këtë pjesë e kemi pasur një kovë aty brenda në shtallë.


Jam ndjerë shumë keq dhe ke pritur vetëm vdekjen kur po të jen, nuk ke pas çka me u ndje apo çka me mëndu tjetër veç ke prit sot, nesër kur po të mbysin.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Si ndodhi që ju liruan

Dëshmitari: E hapën atë derën dhe na thanë mu edhe dy personave të tjerë na thanë hajde dilni dhe tre persona janë brenda.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra erdhën, e hapën derën dhe ju thanë me dalë jashtë, kush erdhën, kush ishte personi që ju tha të dilni jashtë nëse të kujtohet?

Dëshmitari: Ka qenë nëse nuk gaboj Fatmir dhe Bini, veç e ka hap derën ka thënë ti, ti, ti dilni jashtë dhe kemi vazhduar para kësaj shtëpisë aty dhe Bini tha shkoni kah të doni.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A kishte persona të tjerë jashtë, qofshin ushtarë apo civil, ra jashtë ahurit kur ju liruan?

Dëshmitari: Ushtarë të tyre që kanë qenë më poshtë ose më lartë, ka pasur njerëz.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A ju treguan arsyet pse po ju lironin?

Dëshmitari: Jo unë e pyeta këtë Binin thash a mundeni me më tregu pse më keni mbajtur deri sot këtu, tha babën e ke të keq dhe mos fol mos e zgjat më shumë, dhe vazhduam.

Gjykimi i Salih Mustafës, i cili po ndjek atë përmes video lidhjes në Hagë, po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të tretë të ZPS-së.

Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lexo edhe

Video

5 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: