Gjykata ruse mbyll grupin e të drejtave të njeriut “Memorial”

Gjykata ruse mbyll grupin e të drejtave të njeriut “Memorial”

Gjykata e Lartë e Rusisë vendosi për të pushuar aktivitetin e “Memorial”, një nga grupet më të vjetra dhe të respektuara të shoqërisë civile në Rusi, me argumentimin se ka shkelur ligjin që kërkon regjistrimin si agjent i huaj.

Në gjykatë, prokurori e etiketoi Memorialin një “kërcënim publik”, duke akuzuar grupin se paguhej nga Perëndimit për të përqendruar vëmendjen te krimet sovjetike në vend që të nënvizonte një “të kaluar të lavdishme”, raportoi BBC.

“E themeluar në vitin 1989, Memorial u bë një simbol i një vendi që hapet me botën – dhe me veten – ndërsa Rusia filloi të shqyrtonte kapitujt më të errët të së kaluarës së saj. Mbyllja e saj është një simbol i qartë se si vendi është kthyer pas nën presidentin Vladimir Putin, duke hedhur poshtë kritikat – madje edhe të historisë – si një akt armiqësor”, shkroi BBC.

Detyrë primare e këtij grupimi ka qenë të dokumentojë, përmes kërkimeve historike dhe jopolitike, fatin e miliona viktimave të ekzekutimeve, spastrimeve dhe burgosjeve të Stalinit. Por, së fundmi kanë ngritur edhe çështje të tjera si ajo e të burgosurve politikë në kohën e Putinit.

Forumi për Lirinë Fetare në Evropë (FOREF) dënoi mbylljen e kësaj organizate si dhe shprehu solidaritetin e me anëtarët e Memorialit dhe të gjithë qytetarët rusë që kërkojnë lirinë dhe të vërtetën.


Memorial ishte organizata më e respektuar e të drejtave të njeriut në vend, -vijon FOREF- që shton se mbyllja e së cilës sinjalizon tendencat autoritare nën presidentin Vladimir Putin.

“Memorial u vendos si një shtyllë kyçe në shoqërinë civile duke luftuar për të ruajtur kujtimin e viktimave të represioneve komuniste dhe duke bërë fushatë kundër shkeljeve të të drejtave të lidhura me luftërat brutale të Rusisë në Çeçeni dhe më gjerë”, thuhet në artikullin e FOREF.

Sipas tyre, Putin mbështeti qartë mbylljen e kësaj organizate kur para Këshillit për të Drejtat e Njeriut kishte thënë se Memorial po mbronte organizatat terroriste dhe ekstremiste.

Memorial kishte përpiluar një listë të të burgosurve politikë që përfshinin anëtarë të grupeve fetare të ndaluara si Dëshmitarët e Jehovait dhe kritikun më të shquar të Putinit, Alexei Navalny, organizatat politike e të cilit u mbyll këtë vit.

Në tetor, Memorial tha se numri i të burgosurve politikë në Rusi ishte rritur në 420 krahasuar me 46 në 2015.

Lexo edhe

Video