Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar

Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar

Gjykata Kushtetuese ka dhënë sot vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar duke shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të teatrit te Bashkia e Tiranës. Vendimi gjithashtu shfuqizon ligjin për procedurat e për ndërtimin e godinës së re.

Si rrjedhojë, toka e teatrit i rikthehet Ministrisë së Kulturës, gjë e cila i heq të drejtën Bashkisë së Tiranës për të vazhduar me procedurat e ndërtimit të godinës së re. Në vendim, gjykata e ka shfuqizuar ligjin për ndërtimin e teatrit me partneritet publik privat duke e cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese gjithashtu bën nul vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit të publikuar më 29 qershor, që i jepte leje Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar sipas projektit të arkitektit Bjarke Ingels.


Godina e Teatrit Kombëtar u shemb më 17 maj të vitit të kaluar pas një rezistence të gjatë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që kundërshtonin prishjen e ndërtesës me argumentin se përbën trashëgimi kulturore.

Debati për Teatrin Kombëtar nisi në fund të vitit 2017 kur qeveria zbuloi planin për ndërtimin e godinës së re përmes Partneritetet Publik-Privat. Projekti parashikonte ndërtimin e disa kullave krah godinës së teatrit, gjë e cila solli reagim të ashpër nga aktorët dhe qytetarët.

Pas tërheqjes nga ky plan, qeveria ia kaloi truallin në pronësi Bashkisë së Tiranës duke i hapur rrugën ndërtimin të godinës së re me fondet e bashkisë. Por edhe ky propozim u kundërshtua, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkonte që projekti të realizohet në një vend tjetër duke ruajtur godinën e vjetër.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

  1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
    2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
    3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”,  si i papajtueshëm me Kushtetutën.
    4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
    5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Lexo edhe

Video

error: