Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet pa kuorum, Kuvendi pa konsensus për zgjedhjen e dy gjyqtarëve

Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme për herë të katërt do të tentojë të zgjedhë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Pas tri dështimeve paraprake, partitë parlamentare sërish nuk kanë konsensus, pavarësisht se potencojnë nevojën që në seancën e 24 nëntorit së paku të zgjedhet njëri prej pesë kandidatëve që janë në garë, në mënyrë që mos të rrezikohet të mbetet pa vendimmarrje Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, partitë opozitare e akuzojnë partinë në pushtet se derisa nuk po gjejnë njerëz të vet për t’i zgjedhur në kushtetuese, qëllimshëm po e dështojnë procesin.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për KosovaPress, se mazhoranca s’ka pasur vullnet për t’i dhënë përkrahje kandidatëve që janë mbi partiak, megjithëse aktualisht Gjykata Kushtetuese funksionon me minimumin e saj për të pasur kuorum.

“Gjykata Kushtetuese tash funksionon me minimumin e saj për të pasur kuorum. Gjatë tërë kësaj periudhe nuk kemi pasur një vullnet nga mazhoranca që të jep një përkrahje të duhur kandidatëve të themi që janë mbi partiak. Normalisht në këtë proces kemi pasur kandidat që janë identifikuar kandidat që janë të lidhur me njërën apo tjetrën parti. Mazhoranca nuk e ka pasur vullnetin që t’i jep mbështetje kandidatëve të duhur që nesër të jenë gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese…Është shumë e rëndësishme që të enjten e javës së ardhshme ky votim mos të dështojë sikur ka dështuar katër herë të tjera. Të kalojë, nëse jo dy gjyqtarë, të paktën të arrijmë konsensusin që të dërgojnë një gjyqtar nga ky proces, pastaj tjetrin të hapim në ditët në vijim”, thotë ai.

Më kritik për këtë proces është deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj. Ai thotë për KosovaPress, se tri dështimet e Kuvendit për të zgjedhur dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, janë si rezultat i papërgjegjësisë së deputetëve të mazhorancës dhe faktit që nuk po nuk po arrijnë të gjejnë njerëzit e tyre, siç thotë për të kapur edhe këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.

Mirëpo, thekson se tanimë nuk guxohet të lejohet që ky institucion të mbetet pa kuorum, kur dihet se mund të ketë çështje për interpretim kushtetues.

“Tri raundet e para që kanë dështuar kanë ardhur si rezultat i papërgjegjësisë të deputetëve të mazhorancës ose nga fakti se nuk po arrijnë të gjejnë njerëzit e tyre për të kapur edhe këtë institucion të rëndësishëm kushtetues. Dështimi duhet t’i adresohet atyre. Tani në rastin e katërt që e kemi, mendoj se është e domosdoshëm që ne të zgjedhim anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kontekstin e asaj që rrezikohet jo larg që kjo gjykatë të mbetet pa kuorum vendimmarrje. Mendoj se nuk guxojmë dhe as nuk kemi luksin që të lejojmë  këtë institucion të rëndësishëm të mbetet pa kuorum, pasi më pas çdo çështje që do të ishte i rëndësishëm për vendin mund të mos adresohet për interpretim kushtetuese nëse eventualisht del ndonjë çështje”, thotë Selmanaj.


Në linjë të njëjtë me këtë proces është edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Tani kemi njerëz profesionist që në intervistë kanë treguar sukses dhe janë dërguar në Kuvendin e Kosovës, janë pesë anëtarë të propozuar, dy nga ta do të zgjidhen. I takon shumicës parlamentare, në bazë të rregullores së Kuvendit dhe Ligjit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese iu takon deputetëve që të vendosin. Por në bazë të asaj që po shihet, derisa mazhoranca nuk ka njerëz të vet, atëherë po e prishin procesin, nuk po votojnë. Kësisoj kanë prolonguar çështjen që e dëmton mjaft Gjykatën Kushtetuese dhe vendimmarrjen”, thekson Lekaj.

Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress, se rishpallja e konkursit për procesin e zgjedhjes së dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese nuk ka sjell numër të madh të aplikantëve.

Ajo thotë se mbetet të diskutohet brenda grupit parlamentar se a do të ketë përcaktim të votimit, pasi herëve të kaluara nuk ka pasur votim uniform, por deputetët kanë zgjedhur bindjet e tyre për mbështetje të kandidatëve.

“Nuk është se ri aplikimi ose rishpallja e konkursit ka sjell numër më të madh ose aplikantë më potencial për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Në disa raste, kemi pasur përsëritje të kandidatëve të njëjtë. Kësaj radhe vetëm dy kandidatë në raundin e parë janë që kanë aplikuar për herë të parë, të gjithë të tjerët kanë qenë të përsëritur. Në fakt nga pesë që i vijnë seancës, katër  kanë kaluar në proces më herët. Tash mbetet të shihet si brenda grupeve parlamentare  do të merr vendim për mbështetje apo jo të gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse në kuadër të tyre nuk është se ka pasur votim uniform, pasi deputetët kanë zgjedhur bindjet e tyre për mbështetje të kandidatëve. Mbetet të kemi prapë diskutime sëbashku nëse do të ketë përcaktim a llogaritet të kemi proces të suksesshëm”, deklaron ajo.

Procesi për emërimin e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka dështuar tri herë radhazi në Kuvend, si mungesë e votave të mjaftueshme në procesin e votimit.

Në seancën e javës së ardhshme kandidatët që do t’i paraqitet Kuvendit për votim janë, Bardh Bokshi, Dukagjin Abdyli, Enver Peci, Flamur Mrasori dhe Valon Hasani.

Lexo edhe

Video