Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka njoftuar institucionet kompetente se ka marrë informacione se ndaj tij po planifikohet një atentat, thuhet në njoftimin e zyrës së tij.
Lajmin e ka publikuar portali Vijesti. Mbrëmë vonë, administrata policore u tha atyre se aktualisht nuk ka ndonjë informacion që do të tregonte aktivitete të planifikuara që synojnë të rrezikojnë sigurinë e Gjukanoviq. Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk bëri një njoftim.
Një burim i afërt me Gjukanoviq pretendon se një “zyrtar i lartë ushtarak i huaj nga Kosova” e ka informuar atë se një grup i organizuar kriminal nga një shtet fqinj dyshohet se po planifikon një atentat, në marrëveshje me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.
“Sipas nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, Presidenti ka të drejtë në sigurim të përhershëm në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në përputhje me ligjin. Në përputhje me rregulloret pozitive, Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për raportin për vlerësimin e rrezikut të sigurisë”, tha Administrata e Policisë së Malit të Zi.
Ata thonë gjithashtu se sigurimi i Malit të Zi nuk e ka ftuar Gjukanoviqin për intervistë dhe as koordinatorin e sigurimit të tij.