Sot para ndërtesës së rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), mbajti aksion simbolik lidhur me situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe rektori Naser Sahitit i cili me ORCA-n foli për bashkëpunimin e suksesshëm gjatë këtyre dy viteve. E sa i përket mbledhjes ai tha se mbetet të shihet se çfarë do flasin.
Ndërsa Rron Gjinovci drejtor i ORCA-s, tha se para katër viteve ka denoncuar në prokurori për mashtrim dhe plagjiaturë Selim Bezeraj i cili sot është anëtari më i votuar i Senatit. Sipas Gjinovcit ky moment është historik pasi që rektori i UP e dërgon një anëtar të Këshillit Drejtues në Këshill të Etikës për plagjiaturë.
Më 15 tetor para katër viteve pikërisht në këtë vend unë edhe aktivisti Shkelzen Gashi kemi mbajtur një konferencë të ngjashme me të sotmen, ku kemi treguar që kemi denoncuar në prokurori për mashtrim dhe plagjiaturë Selim Bezeraj. Ndërkohë që i kemi dërguar një kërkesë formale drejtorit të atëhershëm Arian Demajt ku i kemi kërkuar që ai vet ta dërgoj rastin në Këshill të Etikës. Plagjiatori Selim Bezeraj para 4 viteve ka qenë vetëm një profesor i pa rëndësishëm në Universitetin e Prishtinës, sot pas katër vjetësh është anëtari më i votuar nga ana e Senatin në Këshillin Drejtues. Sa e dëmshme është mos me adresu plagjiaturën me kohë, megjithatë sot mbas katër viteve rektori Naser Sahiti e ka dërguar në Këshillin e Etikës rastin e Bezerajt si të dyshuar për plagjiaturë. Ky është moment historik, rektori i UP e dërgon një anëtarë të Këshillit Drejtues në Këshill të Etikës për plagjiaturë, anëtarin që është votuar më së shumti në Senatin e UP-së për në Këshillin Drejtues. Kjo është hera e parë që institucioni i vet e denoncon dikë për plagjiaturë”, foli ai.
“Sot në ora dy mblidhet Këshilli drejtues për ta shkarkuar rektorin dhe këtë menagjment. Këshilli Drejtues përbëhet prej nëntë anëtarëve, katër i ka dërguar Ministria e Arsimit dhe pesë Senati. Këta pesë të Senatit e kanë filluar mandatin para 20 ditëve me një tetor. Në mesin e anëtarëve të dërguar nga Senati në Këshill Drejtues është plagjiatori Selim Bezeraj, Inva Mozi dhe Rifat Krasniqi. Për ta shkarkuar rektorin duhet gjashtë vota ku anëtarët e ministrisë dhe të Senatit nuk i kanë gjashtë vota. Përfaqësuesit e ministrisë në krye me Altin Sahitin kanë bërë pakt me djallin. Brenda 20 ditësh që ka filluar mandati, Altin Sahiti dhe përfaqësuesit e ministrisë pra këta të katërt të dërguar nga ministria kanë bërë pakt me Selimat dhe Rifatat e Senatit dhe duan ta shkarkojnë rektorin i cili denoncon plagjiaturën. Sot ndahen ata që janë kundër plagjiaturës dhe ata që janë pro plagjiaturës... Ata mund ta fitojë këtë betejë sot duke shkarkuar rektorin dhe menagjementin por luftën do ta fitojmë ne”, përfundoi ai.
Kurse Sahiti shtoi se nëse shkarkohet nga pozita bashkëpunimi në mënyrë institucionale do të përfundoj por nuk do të përfundoj bashkëpunimi në forma të tjera.
Gjinovci tha se vet opinioni tregon se çka ndodhur dhe çka pritet, dhe sipas tij duhen ta kuptojnë të gjithë qytetarët e Kosovës se si do të jemi si shoqëri në vitet e ardhshme varet nga ajo se si është universiteti sot.
“Vet opinioni tregon se çka mund të ndodhë dhe çka pritet, është çështje pak edhe e instancave vendimmarrëse dhe e akterëve që qëndrojnë prapa zhvillimeve të tilla, ata vet japin përgjigje se çka pritet nëse bëjnë veprime të tilla kur nuk ka asgjë të qëndrueshme, asnjë bazë faktike për të cilën do të mundja të thirresha në përgjithësi, po të kishte diçka të tillë absolut është legjitime dhe do të mund të ndodhte edhe shkarkimi pa asnjë problem...
Lidhur me këtë veprim të mërkurën kanë reaguar 19 organizata të shoqërisë civili, ku denoncohet, siç thuhet, tentativa e shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale për keqpërdorime./D.Gashi