Gjermania dhe Franca kërkojnë rifillimin e dialogut

Gjermania dhe Franca kërkojnë rifillimin e dialogut

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas dhe homologu i tij francez,Dialo Jean-Yves Le Drian përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar që të rifillojë menjëherë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

Në deklaratën e tyre thuhet se “së bashku me Serbinë dhe Kosovën, ne jemi të vendosur që t’i zgjidhim të gjitha pengesat e mbetura. Situata e pazgjidhur midis të dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për tërë Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë është një çështje evropiane e sigurisë. Ajo pengon zhvillimin e nevojshëm ekonomik dhe përparimin politik”.

Ministrat thonë se janë të gatshëm që të mbështesin Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.


“Franca dhe Gjermania janë të gatshëm ta mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin politik, diplomatik dhe ekonomik. Në prill të vitit 2019, Kancelaria Merkel dhe Presidenti Macron ftuan udhëheqësit e rajonit në një samit në Berlin. Tani që Miroslav Lajçak ka marrë detyrën, është koha që dialogu të rinisë. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal”, vijon deklarata.

Sipas kryediplomatëve evropianë, një qasje serioze kërkon negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-në si një ndërmjetës i ndershëm. Prandaj sipas tyre nevojitet më shumë ndërmjetësim dhe vendosmëri politike, diçka që mund të pritet sipas tyre nga Miroslav Lajçak dhe ekipi i tij me mbështetjen e Përfaqësuesit të Lartë Borrell, si dhe të Berlinit e Parisit.

Duke mbështetur heqjen e tarifës 100% për produktet serbe dhe të Bosnjës nga ana e Qeverisë Kurti, dy kryediplomatët evropianë thonë se tashmë presin nga Serbia që edhe ajo të bëjë pjesën e saj.

“Nuk është koha për manovrim politik. Kriza e tanishme do të rrisë tensionet sociale dhe pakënaqësinë politike. Marrja e kërkesave të qytetarëve seriozisht nënkupton forcimin e institucioneve, trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimin e mundësive ekonomike për të gjithë. Kjo është rruga përpara që ju sugjerojmë – ne do të jemi pranë jush”, përfundon deklarata.

Lexo edhe

error: